Gjykata ia tërhoqi vërejtjen avokatit të Veselit për joefikasitet në procesin gjyqësor

Kryetari i trupit gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Charles Smith, ka shprehur zhgënjim lidhur me mosefikasitetin e mbrojtjes në marrjen në pyetje të dëshmitarit të 54-t, transmeton Portalb.mk.

Ai e miratoi edhe një orë shtesë marrje në pyetje për këtë dëshmitar që e propozoi avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, mirëpo ka shprehur vërejtje lidhur me mënyrën dhe efikasitetin e marrjes në pyetje. Emmerson i kërkoi falje trupit gjykues.

Gjatë ditës ka dëshmuar dëshmitari i 54-t i cili sipas një propozimi të prokurorisë të publikuar vitin e kaluar ka njohuri për strukturën, njësitë, shtrirjen gjeografike dhe vijat e raportimit të UÇK-së përfshirë vijat e raportimit në Shtab të Përgjithshëm.

“Jemi pak të zhgënjyer. Asnjë nga dokumentet që u përdorën nuk janë dokumente të reja. Të gjitha janë pjesë e dokumentacionit gjyqësor, pyetjet ishin në linjë me diskutimet e bëra më herët dhe e kam shumë të vështirë t’ju them të drejtën ta çojë dëm një orë që mund ta kishim shfrytëzuar për dëshmi. Sidoqoftë, ne dëshirojmë të jemi të drejtë, t’ua japim të gjithëve mundësinë e mjaftueshme për tu përgatitur, por mos e bëni këtë zakon. Fakti që do ta lejojmë sot, nuk domethënë që do ta lejojmë tjetër herë. Atëherë sot, miratojmë kërkesën tuaj. Nuk keni nevojë të shtoni gjë”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Smith.

Emmerson kërkoi falje menjëherë pas kësaj deklarate.