Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi shkelje të të drejtave dhe diskriminim ndaj romëve në RMV

Një aktgjykim nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në rastin “Memedova dhe të tjerët kundër Maqedonisë së Veriut”, ku katër personave nga komuniteti etnik rom iu shkel e drejta për lirinë e lëvizjes dhe ndalimi i diskriminimit nga shërbimet kufitare, transmeton Portalb.mk.

Personat kanë qenë viktima të praktikës ilegale të aplikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2016, me të cilën personave të komunitetit etnik rom shpeshherë u është ndaluar të largohen nga vendi, pa bazë ligjore.

Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj, në bashkëpunim me një ekip avokatësh dhe Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve, u ka ofruar ndihmë juridike këtyre personave për zhvillimin e procedurave para gjykatave vendore.

Me këtë vendim, praktika e autoriteteve shtetërore, e cila u justifikua gabimisht si mbrojtje e regjimit të sapokrijuar pa viza, u cilësua nga GJEDNJ si diskriminuese.

Shoqata e Jusristëve të Rinj dhe organizatat e shoqërisë civile theksuan se praktika është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe veçanërisht me legjislacionin vendas. Kërkesat e organizatave për ndërprerjen e praktikës dhe dëmshpërblimin e të lënduarve nuk u pranuan me kohë dhe tashmë shteti është sërish në fokus të GJEDNJ-së si shtet që nuk mbron të drejtat e qytetarëve.

GJEDNJ konstatoi se aplikantët, të gjithë të përkatësisë rome, u përballën me diskriminim nga policia kufitare. Aktgjykimi thekson se një diskriminim i tillë është shkelje e të drejtave themelore të njeriut. Përveç diskriminimit, iu shkel edhe e drejta e lëvizjes së lirë.

Gjykata përcakton se ata janë veçuar vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike rome.

Vendimi thekson se veprimeve të zyrtarëve dhe autoriteteve të kontrollit kufitar u mungon justifikimi objektiv ose i arsyeshëm.