Gjithologët që ushqejnë popullin me dokra

Jetojmë në një kohë kur mizëria e gjithologëve të rremë ka pushtuar mediet, nëpërmjet të cilëve ushqejnë ditëpërditshëm me lajme të rreme veshët e popullit. Ata janë sui generis-a që debatojnë dhe zbërthejnë me britma çdo fenomen natyror e shoqëror: që nga mbjellja e preshëve e gjer te planetet e vetmuara të kozmosit, që akoma nuk i kanë zbuluar fizikantët. Ata paguhen për hedhje gurësh të kushtueshëm në ujë, nga i cili pastaj s’i nxjerr dot populli i tërë.

Aktualisht ata mbajnë leksione mbi zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA. Komentet janë të skajshme. Për tifozët e zonjën Kamala Haris, presidenti Donald Tramp vazhdon të jetë idiot, matrapaz, lapërdhar, antishqiptar, prorus, i rrezikshëm për miqësinë tradicionale shqiptaro-amerikane…, kurse ata, të cilët, pas fitores, u bënë përnjëherë Tramp-ista, fyejnë përbaltin, pështyjnë, minimizojnë… luftën që bënë për Kosovën ish presidentët e SHBA-së, me arsyetimin se, tani e tutje, shqiptarët nuk kanë nevojë për miqësinë dhe përkrahjen  e tyre.

Do të doja sinqerisht, që, kësaj here, të kishte të drejtë mizëria e ideologëve, mendimtarëve dhe orakujve zhurmues. Do të doja me gjithë shpirt që unë, ti, ne dhe gjithë shqiptarët e degdisur pikë-e-pesë sajesave turlifare të ishim aq të fortë sa të mos kishim nevojë për përkrahje nga tjetri. Do të doja që, nga ky çast, të mos kishim nevojë për asnjë çadër të tjetrit mbi kokë, përveç çadrës personale, por a është kjo racionale përpara realitetit kokëfortë që nuk përputhet me ëndrrat, mjegullat, kopallat dhe takatin tonë inekzistent.
Së këndejmi, i konsideroj të dëmshme për të ardhmen tonë, komentet e pamatura të kabiles së opinionbërësve, që, pas takimit Tramp – Zelenski, e tebdilosën veten në tarzanë, kurse Shqiptarinë e molisur përçarjesh e bënë superfuqi të vetëmjaftueshme botërore, në një srtinë, kur edhe shtetet më të fuqishme, reagojnë me maturi dhe përpiqen t’i ruajnë si relike të shenjta miqësitë e vjetra, duke lidhur njëkohësisht miqësi të reja, sepse nuk i dihet kurrë çfarë mund të ndodhë nesër.
Por, edhe po të mos ndodhë asgjë prej gjëje, mënyra e përzierjes së pakripë në punë dinozaurësh flet për mungesën e kulturës elementare politike të liliputëve që nuk e kuptojnë sa të papërfillshëm i ka falur Zoti. Le ta thonë gjithologët: ç’raporte miqësie mund të kultivojnë me kryetarin e posazgjedhur të SHBA-së politikanët mendjemëdhenj të Shqiptarisë së katandisur për gjynah? Vallë nuk e dinë se sebepi i përkrahjes së Shqipërisë nga SHBA qe miqësia e presidentit Uillson me Fan Nolin dhe Mid’hat Frashërin? A nuk e kanë dëgjuar Bill Klintonin duke thënë se simpatia ndaj Nënës Tereze qe vendimtare për proshqiptarizmin e tij të dëshmuar me bëma konkrete? A nuk qe simpatia e zonjës Olbrajt për shqiptarët mbrojtës të hebrenjëve gjatë okupacionit fashist, ajo që e bëri dalëzotëse të lirisë së Kosovës? Fundja, a nuk na mjaftojnë pësimet historike dhe tagret që ua kemi paguar aletncave të fqinjëve nëpërka në një kohë kur s’na e varte kush?
Prandaj, ata që pandehin se kanë mandat të shajnë gjithkë në emër të popullit, le të thirren në emrat e tyre.  Ose, ende më mirë, siç thoshte Faik Konica: Të mbyllin gojën kur s’kanë gjë të mençur për të thënë! Kjo do të ishte më e shëndetshme për ta dhe më pak e dëmshme për shqiptarët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.