Gjermania do dërgojë dy luftanije në Indo-Paqësor mes tensioneve në detin e Kinës Jugore

Gjermania do të dërgojë dy anije luftarake në rajonin e Indo-Paqësorit në vitin 2024, njoftoi të dielën ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius. Vendimi vjen mes tensioneve në rritje mes Kinës dhe Tajvanit, si dhe mbi Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore, transmeton Zëri i Amerikës.

Duke folur në Dialogun Shangri-La në Singapor, konferencën më të rëndësishme të sigurisë në Azi, Pistorius tha se vendet duhet të ngrihen për të mbrojtur rendin ndërkombëtar bazuar në rregulla, si dhe mbrojtjen e korridoreve kryesore detare.

“Për këtë qëllim, Gjermania dërgoi një fregatë në Indo-Paqësor në vitin 2021 dhe sërish në vitin 2024, do të dislokojë 2 anije luftarake”, tha ai.

Pistoriues shtoi se ky vendim nuk merrej kundër ndonjë vendi, një pohim që me sa duket i drejtohej Kinës.

“Përkundrazi, qëllimi është për mbrojtur rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, dhe nga i cili të gjithë ne duhet të përfitojmë, qoftë në Mesdhe, në Gjirin e Bengalit apo në Detin e Kinës Jugore”, tha ai.

Duke njoftuar një prani më të madhe ushtarake në rajon, Gjermania po e vë veten në pozita delicate, mes interesave të saj të sigurisë dhe ato ekonomike, pasi Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar i Berlinit.

Në vitin 2021, një luftanije gjermane lundroi në Detin e Kinës Jugore për herë të parë në pothuajse 20 vjet. Në këtë mënyrë Berlini u bashkua me vendet e tjera perëndimore, në zgjerimin e pranisë ushtarake në rajon, mes alarmit në rritje mbi ambiciet territoriale të Kinës.

Pekini pretendon se i takon pothuajse i gjithë Deti i Kinës Jugore, pavarësisht nga një vendim i gjykatës ndërkombëtare që se thotë se Kina nuk ka baza ligjore për këto pretendime.

Rreth 40% e tregtisë së jashtme të Evropës rrjedh përmes Detit të Kinës Jugore.