Fushata “Derë më derë” mbaroi me suksese në Maqedoninë e Veriut, vlerësoi Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka vlerësuar se ka mbaruar me sukses fushata “Derë më derë” për vaksinimin e fëmijëve dhe të moshuarve në shtëpitë e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Mbi 3,600 fëmijë janë vaksinuar në shtëpitë e tyre ose u është caktuar termin për vaksinim dhe janë shpërndarë mbi 7,500 materiale informative, në kuadër të fushatës së përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Ministria raportoi që në këtë fushatë janë realizuar vizita në 3867 shtëpi nga 30 ekipe mjekësore.

“Gjithashtu, në kuadër të kësaj fushate janë vaksinuar në shtëpitë e tyre me vaksinën e gripit sezonal edhe 2630 qytetarë mbi 65 vjeç, të cilët nuk kanë mundur të kenë qasje deri te pikat e imunizimit. Për ta është siguruar edhe një rivaksinim bivalent për Covid-19”, raportoi Ministria e Shëndetësia.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF, me mbështetjen e USAID-it, filluan më 15 dhjetor një fazë të re të fushatës “Të mbrojtur së bashku – vaksinat funksionojnë”, nën moton “Le të mos luajmë me shëndetin!”, me qëllim që qytetarëve edhe më tej tu ofrojë informacione të sakta dhe në kohë për vaksinat dhe imunizimin.

MRP është vaksinë e sigurt dhe e kombinuar efikase e cila mundëson mbrojtjen kundër fruthit, shytave dhe rubeolës. Numri i të vaksinuarve në Maqedoninë e Veriut nuk është në nivel të kënaqshëm, përqindja e të vaksinuarve me këtë vaksinë në nivel ndërkombëtar është 70 përqind. Kjo është arsyeja përse prindërit duhet t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

Këto ishin një pjesë e konkluzave nga brifingu i sotëm me gazetarët me temë “MRP Vaksina” e cila u organizua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondacioni Metamorphosis, në bashkëpunim me UNICEF-in dhe me mbështetje financiare nga USAID.