RMV, fushatë e re imunizimi: “Le të mos luajmë me shëndetin”

Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF, me mbështetjen e USAID-it, nisin sot një fazë të re të fushatës “Të mbrojtur së bashku – vaksinat funksionojnë”, nën moton “Le të mos luajmë me shëndetin!”, me qëllim që qytetarëve edhe më tej tu ofrojë informacione të sakta dhe në kohë për vaksinat dhe imunizimin, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftoi UNICEF, fushata e komunikimit është pjesë e një sërë aktivitetesh për të inkurajuar vaksinimin pas ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia Covid-19. Fushata synon t’u kujtojë prindërve dhe kujdestarëve se kur vaksinimet mungojnë ose vonohen, fëmijët dhe komunitetet janë në rrezik të sëmundjeve të parandalueshme nga vaksinat.

“Megjithëse ka pasur një rritje të mbulimit me vaksinim pas pandemisë Covid-19, është e nevojshme të sigurohet informacion i saktë dhe në kohë për vaksinat që shpëtojnë jetë. Në atë drejtim, në fillim të vitit krijuam ueb-faqen e-zdravstvo.mk, me informacione të vërtetuara dhe ekspertësh për rëndësinë e vaksinimit të rregullt dhe tema të tjera në fushën e shëndetësisë, si shëndeti digjital, aplikacioni ‘Shëndeti im’, ekzaminimet aktuale dhe informacione të tjera të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit. Aty mund të gjeni informacion të besueshëm për vaksinat e bëra në vend sipas kalendarit kombëtar dhe për sëmundjet që mund të parandalohen nëpërmjet vaksinimit. “Gjatë vitit kemi punuar në disa fronte për të arritur mbulimin me vaksina mbi 90-95 për qind në nivel kombëtar për të gjitha vaksinat e rregullta”, tha ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti.

Krahas kësaj fushate, Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF, me mbështetjen e USAID-it, po punojnë për integrimin e një sistemi për menaxhimin e informacionit të pasaktë brenda strukturave vendimmarrëse kombëtare. Dialogu i vazhdueshëm midis profesionistëve shëndetësorë, ekspertëve dhe medias po kontribuon në një ndryshim pozitiv të qëndrimeve ndaj vaksinave.

“Gjatë gjithë vitit, ne kemi punuar me partnerë për të përmirësuar besimin në gjetjet shkencore rreth vaksinave. Vihet re se ka një rritje të opinionit pozitiv për vaksinat, i cili është premtues, pasi në botën online qarkullojnë shumë informacione të pasakta për vaksinat. Keqinformimi është i rrezikshëm, krijon një terren pjellor për sëmundje dhe prindërit dhe kujdestarët kanë nevojë për akses të vazhdueshëm në informacion të besueshëm. Vaksinimi i fëmijëve nuk është një zgjedhje, por përgjegjësi. Vaksinat mbrojnë fëmijët, të rriturit dhe komunitetet”, tha Përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia DiGiovanni.

Fushata “Le të mos luajmë me shëndetin!” do të zbatohet në muajt në vijim në të gjithë vendin dhe është vazhdimësi e fushatës nga fillimi i vitit, në të cilën iu bashkuan punonjës shëndetësorë, pediatër, mjekë nga qendrat e vaksinimit dhe gjinekologë që të flasin për rreziqet e vonesës së vaksinimit, por edhe për përfitimet e vaksinimeve rutinë në fëmijëri, si mënyra më efektive për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve.