Fundviti me një peizazh transatlantik të ri, dhe mundësi të reja diplomatike
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet sot me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në rezidencën e tij private në Mar a Lago të shtetit Florida për bisedime për t’i dhënë fund luftës. Bisedimet e profilit të lartë i lënë evropianët prapa skenave, por të rëndësishëm tani dhe pasi të nënshkruhet marrëveshja e paqes. Fërkimet midis SHBA-së dhe BE-së kanë ecur me shpejtësi. SHBA-të dhe BE-ja, që nga janari i vitit 2025, kanë qenë kryesisht në një luftë fjalësh dhe së fundmi në veprime konkrete. Qeveria e SHBA-së ka sanksionuar individë të profilit të lartë të instuticioneve të BE-së, të cilat kanë shkaktuar reagime të ashpra evropiane. Në një deklaratë për shtyp, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, akuzoi pesë personat e sanksionuar se kanë udhëhequr “përpjekje të organizuara për të detyruar platformat amerikane të censurojnë, demonetizojnë dhe shtypin pikëpamjet amerikane që ata kundërshtojnë”.
Zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump, sipas evropianëve kanë dënuar shtetet evropiane për censurë të supozuar nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania për shkak të “kufizimeve serioze të lirisë së shprehjes”. Nuk vonoi shumë, Franca, Gjermania dhe Spanja gjithashtu dënuan lajmin nga Uashingtoni. Komisioni Evropian (KE) lëshoi një deklaratë ku thuhet: “Ne kemi kërkuar sqarime nga autoritetet amerikane dhe mbetemi të angazhuar. Nëse është e nevojshme, ne do të përgjigjemi shpejt dhe me vendosmëri për të mbrojtur autonominë tonë rregullatore kundër masave të pajustifikuara”.
Debati i nxehtë nga tarifat, përfundimisht u përqendrua në fusha të tjera, ku nuk kishte nevojë si p.sh., disa zëra amerikanë e kanë kritikuar BE-në për mungesë transparence dhe shumë më tepër. Në hakmarrje, disa zëra jashtë Brukselit iu janë përgjigjur SHBA-së me informata, të tilla si: Evropa ka një sistem mirëqenieje. Evropa ka arsim të lartë falas. Evropa ka transport publik të shkëlqyer. Evropa ka një jetëgjatësi më të lartë. Evropa ka një kosto jetese shumë më të ulët. Evropa ka kujdes shëndetësor të mirë dhe të lirë. Evropa ka një standard shumë më të lartë të cilësisë së jetës sesa SHBA-të në pothuajse çdo kategori të matshme. Pra si janë saktësisht amerikanët më të lirë sesa evropianët? Raportet euro-amerikane u tendosën edhe më shumë kur presidenti Trump njoftoi për një të dërgur special për Grenlandën. Presidenti Donald Trump emërroi Guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si Përfaqësues Special të SHBA-së për Grenlandën. Franca, Grenlanda dhe shtetet të tjera i shprehën pakënaqësitë e tyre, reagime të cilat Uashingtoni i injoroi.
Nga të gjitha uljet e ngritjet transatlantike, po shihet se SHBA-ja e sheh si pjesë të Doktrinës Monroe (Monroe Doctrine 1823), të Hemisferës Perëndimore si zonë të saj të ndikimit e cila duhet të ruhet nga të tjerët, dhe nga brenda. Sipas analistëve, SHBA-ja do të angazhohet që ta marrë si territor, pavarësisht fjalimeve dhe reagimeve të ashpra evropiane. “SHBA-të kanë nevojë për Grenlandën për arsye sigurie kombëtare”, tha presidenti Donald Trump një një fjalim në Uashington. Më pas Danimarka iu drejtua presidentit Trump: “Nuk mund të aneksosh vende të tjera, Grenlanda nuk është në shitje”.
Kritikat dhe akuzat vazhduan pa pushim, pa ndonjë efekt në përmirësimin e raporteve euro-amerikane. Ndërsa dy aleatë kryesorë të pas Luftës së Dytë Botërore (LDB), dhe Luftës së Ftohtë po qëndrojnë në fjalime të vazhdueshme dhe masa të ashpra në mes veti, Rusia ka vazhduar të bombardojë Ukrainën, madje duke luajtur lojëra në hapësirën ajrore neutrale të Evropës Perëndimore me aeroplanë të nivelit të lartë strategjik. Kështu, sipas njoftimeve të mediave evropiane, dy bombardues strategjikë rusë të tipit TU-95 janë parë në zonën afër Norvegjisë. Një situatë e pakëndshme që vuri në lëvizje avionët e NATO-s. Burimet njoftuan se avionët rusë nuk kaluan në hapësirën ajrore të Britanisë së Madhe apo Norvegjisë, por fluturuan mjaftueshëm për të vënë NATO-n në aksion. Se sa është rritur frika në BE dhe më gjërë nga Rusia flasin përgatitjet e shteteve evropiane për sulme në të ardhmen nga ushtria ruse.
NATO dhe shtetet evropiane më herët kanë paralajmëruar se Rusia po përgatitet për një luftë të mundshme me Evropën duke nisur nga Balltiku. Disa lëvzije ruse të Brigadës 336 të Këmbësorisë Detare të Veçantë, e cila është e vendosur në qytetin e Baltijskut në rajonin e Kaliningradit, sipas njoftimeve zyrtare mund të jetë pjesë e një lëvzije më të gjerë ruse për aksione hibride, dhe lëvizje të kufizuara ushtarake. Mirëpo as shtetet Balltike dhe ato të Krahut Lindor të NATO-s përfshirë Poloninë si shtet më i fuqishëm nuk po rrinë duarkryq. Janë armatosur më tekonologji të fundit dhe janë gati të përballojnë Rusinë. Sa që presidentit i Finlandës Alexander Stubb tha se nuk duhet të kemi frikë nga Moska për sulme të reja ndaj shteteve evropiane. Besueshmëria ushtarake është rritur tek evropianët, dhe kjo është një gjë e mirë, mirëpo dalllimet e mbetura në mes Francës dhe Gjermanisë, duke shtuar këtu raportet e tendosura transatlantike, mund të minojnë aftësinë e evropianëve për tu përgjigjur shpejt dhe drejtë. Edhe pse ka pasur zhvillime në raportet SHBA-BE dhe BE-Rusi, tema qendrore mbetet nëse do të arrihet paqe në 2026-tën në mes Ukrainës dhe Rusisë me kushtetet amerikane. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një intervistë me gazetarin e Axios, Barak Ravid, postuar në rrjetin X, sinjalizoi se Ukraina dhe Uashingtoni nuk po flasin më me abstraksione, por po punojnë për rezultate konkrete politike.
“Draft dokumentet pothuajse janë gati dhe kanë mbetur vetëm “çështje të ndjeshme” të mbetura të pazgjidhura. “Koha është kritike, pasi dinamika e fushës së betejës, tendosja ekonomike dhe presioni gjeopolitik po konvergojnë për ta bërë ngërçin e zgjatur gjithnjë e më të kushtueshëm. Ky nuk është një njoftim armëpushimi, por një zhvendosje drejt strukturimit të ndikimit, renditjes së bisedimeve dhe përcaktimit të gjendjeve përfundimtare të pranueshme. Thirrja e Ukrainës për presion të vazhdueshëm ndaj Rusisë, nënvizon se diplomacia po ndiqet nga një pozicion force, jo nga një koncesioni. Nëse këto bisedime përparojnë, javët e ardhshme mund të përcaktojnë nëse lufta hyn në një fazë të re diplomatike apo ngurtësohet në një konfrontim më të gjatë”. Lufta midis Ukrainës dhe Rusisë, disa thonë, se mund të përfundojë në 2026-tën duke sjellë një botë të ndryshme në BE, Azi dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi. Në veçanti rënia ruse, duhet të shihet më tej, sepse me marrëveshjet e reja SHBA-Rusi, hapen dyert për një bashkëpunim të ri e më të mirë midis dy shteteve. Disa argumentojnë se hapja e Rusisë mund të ketë ndikim në zona të tjera, siç është Ballkani. Por prapëseprapë, politikat rajonale ruse nuk do të ndryshonin shumë, përfshirë këtu Ballkanin, ku serbët dhe të tjerët janë ende në anën ruse, pavarësisht statusit ndërkombëtar të Rusisë.
Kjo mund të konsiderohet nga vëzhguesit si një shenjë e keqe dhe një shenjë e mirë për shtetet e Ballkanit, të cilat po jetojnë në të kaluarën. Në terma të përgjithshëm, bisedimet për paqe në Ukarinë po vazhdojnë ngadalë. Dërgimi i sinjaleve të përziera, në rast se marrëveshja do të përkthehet si fitore ruse, mund të përforcojë ambiciet serbe për territore të reja ose të njëjtat mesazhe të zbuten që objektivat të arrihen hap pas hapi, duke luajtur njëkohësisht me disa palë, me BE-në, SHBA-të, Rusinë, Kinën, Turqinë etj. Një marrëveshje e balancuar nën kujdesin euro-amerikan, e duke mos u parë nga rusët tërësisht në favor të Ukrainës, me siguri se do të prodhonte efekte pozitive në të gjitha pjesët e Evropës duke lënë kohë për stabilizim të ngadalshëm, duke ulur revizionizmin ruso-serb, e ndoshta integrim në BE nëse nuk do të ketë bashkime të tjera rajonale që mund të dalin prej marrëdhënieve të reja ruso-amerikane.
Ky është një këndvështrim optimist për rastin e Ukrainës, Rusisë së pasluftës dhe implikimeve të saj në rajonet e trazuara. Por realiteti mund të jetë i ndryshëm duke u bazuar në kushtet dhe faktet aktuale. Drafti 20 -pikësh për Ukrainën ofron zona të demilitrizuara, ekonomike, garanci ushtarake me Artikullin -5 etj., etj si mënyrë për tu arritur një marrëveshje të pranueshme për të gjithë. Në kontekst të kësaj as Rusia e as Serbia nuk do të heqin dorë nga lidhjet historike e aktuale pavarësisht uljes apo ritjes së ndikimit. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë një sistem kompleks që mund të përfundojë me interesa afatgjata. Shtetet mund të tërhiqen nga marrëveshjet, traktatet mund të shfuqizohen, qeveritë mund të mos ndërmarrin veprime pragmatike, dhe lidhjet ekonomike dhe ideologjike mund të jenë forca kryesore lëvizëse, etj. Prandaj, skenarët e përfundimit ose mospërfundimit të luftës, në këtë kontekst, aleancat nuk duhen parë nga një këndvështrim emocional, por nëse ka një interes të lidhur, atëherë ai do të mbizotërojë, si në rastin e marrëdhënieve serbo-ruse dhe raste të tjera në politikën botërore.
Në fund, SHBA-ja dhe BE-ja përderisa janë angazhuar në Ukrainë, do të ishte mirë t’i japin fund akuzave në këtë kohë, e të luanin si aktorë të mirë për të arritur një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshje të tilla me siguri do të shmangnin probleme shumë më të mëdha nëse ato do të lindnin në fusha të caktuara të status quo-së pasi të shuhet zjarri në Ukrainë.