Fshati Belicë i Kërçovës është komuna e parë e gjelbër: Nga qymyri po shkon drejt zhvillimit të qëndrueshëm
Fshati Belicë i Kërçovës do të jetë komuna e parë e gjelbër në vend. Shfrytëzimi i qëndrueshëm i resurseve, ruajtja e biodiversitetit dhe zvogëlimi i ndikimit të ndryshimeve klimatike që do të zbatohen në Belicë do të shërbejnë si model për transformimin e gjithë rajonit të Kërçovës nga thëngjilli drejt zhvillimit të gjelbër dhe burimeve të pastra të energjisë, njofton Meta.mk.
Pjesë e aktiviteteve me të cilat duhet të fillojë transformimi i gjelbër i Belicës janë përdorimi i fotovoltaikëve për sigurimin e energjisë elektrike, ruajtja e rajonit të malit Ilinska-Pllakenska, i cili është një korridor i rëndësishëm për lëvizjen e kafshëve të mëdha në vend, por edhe menaxhimi i mbeturinave dhe zhvillimi i turizmit alternativ.
Bashkësinë e gjelbër do ta ndërtojnë Shoqata ekologjike e Maqedonisë dhe bashkësia lokale, e cila në dekadën e fundit ka investuar shumë në rikthimin e jetës në Belicë. Sipas Robertina Brajanoskas, drejtoreshë ekzekutive e ShEM-it, do të ishte mirë sikur përpjekjet dhe iniciativa e banorëve vendas të njiheshin edhe në pjesët tjera të rajonit, i cili po kalon një transformim serioz.
“ShEM do të ndihmojë në vënien në funksion të një pjese të godinës së vjetër të shkollës që do të shërbejë si qendër edukative për rëndësinë e mbrojtjes së biodiversitetit, për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve siç është uji dhe nxitjen e përdorimit të diellit si burim energjie. Do të krijohet edhe një stacion meteorologjik në të cilin do të mblidhen të dhënat për temperaturat dhe reshjet dhe do të analizohen ndikimet e ndryshimeve klimatike”, thotë Brajanoska.
Ajo thotë se popullata e Belicës edhe deri më tani ka qenë e angazhuar në rikthimin e jetës dhe rregullimin e fshatit. Ata do të edukohen që të vazhdojnë të monitorojnë dy hidrocentralet e vegjël të ndërtuar në lumin Beliçka, të cilët në verë thahen dhe ndikojnë drejtpërdrejt në biodiversitetin dhe furnizimin me ujë të banorëve.
Shkolla e braktisur, e cila tani po rinovohet, do të funksionojë me efikasitet energjetik, duke përdorur energjinë e prodhuar nga fotovoltaikët që do të vendosen në çatinë e ndërtesës dhe sistemet diellore të ujit të ngrohtë. Ideja është që ky lokacion të fillojë të funksionojë si qendër lokale ku do të organizohen punëtori të ndryshme.
Objekti, thotë Brajanoska, ka potencial të bëhet një bujtinë, një restorant, një vend ku mund të shërbehen dhe shiten ushqime vendore dhe të jetë një burim i të ardhurave dhe zhvillimit të bashkësisë lokale.
“Mërgimtarët nga ky rajon që kthehen dhe duan të restaurojnë shtëpitë e tyre do të bënin mirë të investonin në fotovoltaikë dhe të përdornin materiale natyrore. Popullata duhet të edukohet vazhdimisht për pasurinë e biodiversitetit dhe si duhet të ruhet ai, prandaj do të organizohen vizita të nxënësve nga Kërçova dhe Drugova”, thotë Brajanoska.
Nga bashkësia lokale e Belicës thonë se krijimi i komunës së gjelbër është projekti më i madh që fshati e ka marrë në historinë e tij.
“Do ishte mirë që në këtë projekt të na bashkohen sa më shumë të rinj nga fshati ynë dhe rajoni më gjerë, me të cilët do të mund të ndërtojmë kapacitete për të përfituar projekte edhe më të mëdha në të ardhmen, përmes të cilave do të krijohen kushte për të krijuar vende pune në gjithë rajonin në të cilin ka mundësi të panumërta për këtë”, thonë nga bashkësia lokale.