Franca ndaloi shitjen e iPhone 12, ka rrezatim mbi pragun e lejuar

Apple duhet të ndalojë shitjen e modelit të saj iPhone 12 në Francë për shkak të niveleve të rrezatimit mbi pragun e lejuar, tha ministri francez i Ekonomisë Digjitale Jean-Noël Barrot për gazetën Le Parisien në një intervistë të botuar dje. Mbikëqyrja franceze ANFR ka informuar Apple për vendimin e saj për të ndaluar shitjet e iPhone 12 pas testeve, transmeton Portalb.mk.

Testet treguan se shkalla specifike e përthithjes (SAR) e telefonit inteligjent është pak më e lartë se sa lejohet ligjërisht, tha ministri. Reuters kontaktoi Apple për koment mbi vendimin, por nuk mori përgjigje.

Barrot pretendon se një përditësim i softuerit do të mjaftonte për të zgjidhur problemet e rrezatimit që lidhen me celularin, të cilin kompania amerikane e shet që nga viti 2020.

“Apple pritet të përgjigjet brenda dy javësh. Nëse nuk përgjigjet, jam i përgatitur të urdhëroj një tërheqje të të gjithë iPhone 12-ve në qarkullim. Rregulli është i njëjtë për të gjithë, përfshirë gjigantët digjitalë”, shtoi ai.

Bashkimi Evropian ka vendosur kufijtë e sigurisë për vlerat SAR në lidhje me ekspozimin ndaj telefonave celularë.

Mbikëqyrësi francez tani do t’ua përcjellë gjetjet e tij rregullatorëve në shtetet e tjera anëtare të BE-së. Në vitin 2020, Franca zgjeroi rregulloret që u kërkonin shitësve me pakicë të shfaqin vlerën e rrezatimit të produkteve, duke përfshirë tabletat dhe pajisjet e tjera elektronike, në paketimin e tyre.