ANALIZË: Valë pensionistësh nga shtylla e dytë pensionale në vitet 2029/30, deri atëherë “luftë” për stabilitetin e sistemit pensional apo reforma?
Vetëm 1% e pensionistëve marrin pensionin maksimal, përkatësisht shumën më të lartë të pensionit prej mbi 64.518 denarësh. Nga ana tjetër, numri më i madh i pensionistëve, ose 36,81%, marrin pension në vlerë nga 20.229 deri në 23.945 denarë. Qeveria, me mbështetjen e Bankës Botërore, ka nisur një analizë të gjendjes së sistemit aktual pensional, duke paralajmëruar mundësinë e ndërmarrjes së një reforme, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Gati 64% e parave të personave të siguruar në shtyllën e dytë pensionale janë të “lidhura” me obligacione shtetërore
Gjithsej 534 persona gjatë vitit 2025 fituan të drejtën e pensionit dhe, përveç pagesës nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPIM), morën pagesa edhe nga fondet e Shtyllës së dytë pensionale. Numri i pensionistëve të rinj nga shtylla e dytë pensionale ende është i vogël, por vala e parë më e madhe pritet në vitet 2029/30, kur pritet të ndodhë edhe lehtësimi i parë më i ndjeshëm i fondit shtetëror, falë rritjes së pagesave që do të bëhen edhe nga fondet private pensionale. Megjithatë, sipas ekspertëve, gjatë katër viteve të ardhshme pritet të ketë rreth 110.000 pensionistë të rinj, gjë që mund ta vërë në pikëpyetje qëndrueshmërinë financiare të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPIM).
“Tashmë po shohim se Qeveria po kërkon para për FSPIM-në. Së fundmi kishte ndryshime ligjore me të cilat kontributi për sigurimin në rast papunësie, që paguhet në Agjencinë e Punësimit, u ul nga 1,2% në 0,1%, por në kurriz të rritjes së kontributit për FSPIM-në 18,8% në 19,9%. Shuma totale e kontributeve nuk është rritur, por është bërë një rishpërndarje për të rritur të hyrat e fondit shtetëror. Kjo do të thotë se po kërkohen burime të reja financimi”, thotë analisti ekonomik Sllobodan Najdovski.
Sipas të dhënave të MAPAS-it, është interesant fakti se vitin e kaluar 126 pagesa nga fondet private pensionale janë kryer në bazë të “pagesës së njëhershme – trashëgimisë”, ndërsa është realizuar edhe pagesë e njëhershme e shumës në bazë të pensionit.
“Gjatë vitit 2025, janë paguar mjete si trashëgimi nga llogaritë individuale të 126 anëtarëve të ndjerë. Gjithashtu, 2 anëtarëve u janë paguar mjete me pagesë të njëhershme. Pjesa më e madhe e pagesave janë në rastet e vdekjes së anëtarit, përmes përfitimit të pensionit familjar ose pagesës së trashëgimisë, pasuar nga pagesat në bazë të pensionit të invaliditetit. Ndërkaq, numri më i vogël i pagesave i përket pagesave të njëhershme për anëtarët dhe pagesave përmes programeve të tërheqjeve të programuara”, thuhet në raportin vjetor të MAPAS-it.
Këtë vit pritet të ketë 150 pensionistë të rinj, të cilët do të duhet të marrin pension si nga FSPIM-ja, ashtu edhe nga Shtylla e dytë pensionale. Sipas vlerësimeve të Qeverisë, një nga argumentet kryesore për nevojën e reformave është se mjetet në fondet private pensionale nuk janë shtuar mjaftueshëm përmes investimeve, në mënyrë që të mund të sigurohen pensione me vlera më të larta për pensionistët e ardhshëm. Çfarë po ndodh me 3.057.467.532 eurot e gjithsej 630.396 të siguruarve në fondet private të detyrueshme pensionale?
Sipas të dhënave të MAPAS-it, madje 63,74% e parave të të siguruarve janë të investuara te “shteti”, përkatësisht në obligacione vendore, ndërsa në vendin e dytë, me një pjesëmarrje prej 25,46%, renditen “fondet investuese”.

Nga asetet totale, 69% janë investuar në tregun vendas, ndërsa gati 31% janë investuar në tregjet e huaja. Ndërsa Qeveria pretendon se fondet private të detyrueshme pensionale nuk i kanë rritur mjaftueshëm paratë e të siguruarve përmes investimeve, pikërisht këto fonde bëjnë pjesë në grupin e kreditorëve më të mëdhenj të Qeverisë, përmes blerjes së letrave me vlerë të emetuara nga shteti.
“Tani, në njëfarë mënyre, qytetarët, përkatësisht të siguruarit, u paguajnë dyfish fondeve pensionale. Së pari përmes kontributeve, ndërsa për herë të dytë përmes interesit, gjegjësisht fondet blejnë obligacione me paratë e qytetarëve, e më pas shteti u paguan interes për to, sërish me paratë e qytetarëve, nga buxheti. Çfarë lloj reforme nevojitet, nëse duhet të merret në konsideratë nacionalizimi, rritja e moshës së pensionimit apo rritja e nivelit të kontributeve – kjo kërkon një analizë të thelluar, sepse çdo ndryshim do të ketë pasoja për të gjithë, si për kompanitë, ashtu edhe për të siguruarit”, thotë Najdovski.
Qeveria ka nisur një analizë të gjendjes së sistemit pensional, duke paralajmëruar disa skenarë që synojnë të përmirësojnë gjendjen financiare FSPIM-së, me arsyetimin se duhet të sigurohen para për brezat e ardhshëm të pensionistëve, të cilët aktualisht janë anëtarë të shtyllës së dytë pensionale. Sipas të dhënave të fundit në dispozicion, në vend ka 349.015 pensionistë, ndërsa grupi më i madh, ose 36,81%, marrin pension në vlerë prej 20.229 deri në 23.945 denarë. Pensionin më të lartë, në vlerë prej mbi 64.518 denarësh, e marrin vetëm 1% e pensionistëve.