“Flokët më janë zhdukur”, Trump kritikon kopertinën e re të Time si më të keqen në histori

Donald Trump ka kritikuar kopertinën e numrit të ri të revistës Time, kushtuar suksesit të tij diplomatik në Gaza, duke e përshkruar atë si “më të keqen në histori”. Ai vlerësoi shkrimin, por u ankua për foton që e tregon atë në kopertinë, transmeton Portalb.mk.

Trump është fotografuar nga poshtë, me diellin mbi kokën e tij.

“Rezultati është super i keq. ‘Time’ shkroi një histori relativisht të mirë për mua, por fotografia është ndoshta më e keqja në histori. Flokët e mi janë zhdukur dhe diçka duket se po fluturon mbi kokën time, ndoshta një kurorë, por e vogël. Vërtet e çuditshme! Nuk më kanë pëlqyer kurrë fotografitë nga ai kënd, por kjo është super e keqe dhe meriton të tërhiqet. Pse e bëjnë këtë?” shkroi Trump në rrjetin e tij social.

Fotografia, e shoqëruar me mbishkrimin “Triumfi i tij”, është bërë në Shtëpinë e Bardhë më 5 tetor. Trump u shfaq në kopertinën e Time katër herë vitin e kaluar.