Fletëobligacionet në vlerë 92 milionë dollarë nuk ishin në emër të shtetasit turk

Fletëobligacionet e sekuestruara në vlerën 92 milionë dollarë nuk ishin në emër të shtetasit të huaj, i cili më 28 korrik të këtij viti tentoi t’i transferonte ato jashtë vendit përmes RMV-së. Drejtoria doganore po kryen hetim financiar për të vërtetuar nëse bëhet fjalë për mashtrim apo larje parash. Këtë e theksoi drejtori i Drejtorisë doganore, Stefan Bogoev, në një paraqitje i ftuar në emisionin “Click Plus” në TV21, transmeton Portalb.mk.

“Ne bashkëpunojmë edhe me shumë partnerë ndërkombëtarë sepse gjithçka në lidhje me këtë rast ka të bëjë me bankat e huaja, një kompani të huaj dhe një shtetas të huaj. E vetmja gjë është që fletëobligacionet ndodhen në territorin tonë dhe për këtë arsye çdo ndihmë ndërkombëtare është e mirëpritur, sepse gjithçka i nënshtrohet kontrolleve të hollësishme dhe serioze. Janë kontaktuar disa institucione nga të cilat presim që të na ndihmojnë dhe të përfshihen seriozisht”, tha Bogoev.

Ai më tej thekson se është detyrë e Drejtorisë Doganore që të kontrollojë në detaje nëse bëhet fjalë për tentim për mashtrim, tentim për larje parash apo financim të aktiviteteve të kundërligjshme.

“Imagjinoni se cili do të ishte reagimi nëse një pasagjer do të bënte një shëtitje si kjo në Gjermani, Francë, Itali, Spanjë dhe të ndodhte diçka që nuk duhet. Të fillojë hetimi dhe prej andej të kthehet dhe të del se pasagjeri ka kaluar pa kontroll në aeroportin e Shkupit. Është detyrimi ynë që të bëjmë kontroll të plotë dhe të detajuar. Jam i kënaqur me mënyrën se si Drejtoria Doganore e ka zhvilluar deri më tani procedurën dhe falënderoj doganierët dhe shefin e doganës së Aeroportit të Shkupit për punën e kryer me sukses”, theksoi Bogoev.

Më tej Bogoev shpjegon se pasagjerët që kalojnë nëpër një kanal të gjelbër do të thotë se nuk kanë asgjë për të raportuar. Në të njëjtën kohë, bagazhi i tyre kalon në skaner, gjatë të cilit shihet me detaje se çfarë kanë në valixhet e tyre. Në rastin konkret, bëhej fjalë për 184 fletëobligacione me vlerë individuale 500 mijë dollarë ose në total 92 milionë euro. Gjithashtu, ishte e dyshimtë se personi jepte deklarata konfuze dhe nuk ishte konsistent në përgjigjet e pyetjeve të doganierëve dhe inspektorëve të Departamentit të Kontrollit dhe Hetimeve.

Bogoev thotë se Drejtoria doganore do të vazhdojë të informojë opinionin se çfarë mund të transportohet përtej kufirit, çfarë mund të marrin qytetarët me vete dhe çfarë duhet të raportojnë.