Filozofët dhe e ardhmja e pasigurt (I)

“E ardhmja tashmë ka ardhur — vetëm se nuk është e shpërndarë në mënyrë të barabartë.” 

-W. Gibson

Filozofia në esencë është dashni ndaj urtësisë, kurse si veprimtari nënkupton të menduarit permanent mbi më të mirën, më të bukurën, më të dobishmen për njeriun, njerëzimin dhe gjithçka në univers. Është soditje, është kërkim i të vërtetës së jetës, i qëllimit të ekzistencës. Sot filozofia nga qarqe të ndryshme paraqitet se suvenir apo relikt i së kaluarës, ndonëse ajo është disiplina nënë apo mbretëreshë nga e cila kanë lindur shkencat, ngase filozofët të parët kanë bërë përpjekje për të studiuar natyrën e botës. Ndonëse në defansivë dhe e margjinalizuar, rëndë se gjen në një shoqëri si e jona më shumë se gishtërinjtë e dorës, ajo vazhdon të ketë misionin prijatar në dijeprodhimin urtar dhe vizionar në të tria dimensionet kohore. Ajo riaktualizon të kaluarën në të tashmen, duke ideuar edhe të ardhmen përmes eksplorimeve imagjinative dhe spekulative. 

Në kuadër të filozofisë ekziston edhe një disiplinë e mbiquajtur filozofia e së ardhmes, e cila vë nën lupë temën e ardhmërisë (e jo evoluimin e filozofisë në të ardhmen). (Galluser, 2021) Në këtë artikull do të japim mendimet që disa filozofë vitin e kaluar, në Ditën Botërore të Filozofisë kanë dhënë për “The Institute of Art and Ideas” (Londër) lidhur me të ardhmen humane me shumë pikëpyetje. Pyetja kyç ka qenë “Si të lundrojmë apo si të orientohemi në të panjohurën që troket në derë?”

Sipas Tommy J. Curry nga Universiteti i Edinburgut, “filozofia akademike si mund të ofrojë përgjigje ndaj valëve të nacionalizmit etnik në rritje, dehumanizimit dhe dhunës në botën e shekullit XXI, kur vetë si disiplinë vepron përmes logjikave të ngjashme. Filozofia në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Evropë drejtohet nga një homogjenitet racor pothuajse tërësisht i bardhë, që përdor struktura të ngjashme me aparteidin për të përjashtuar popullata që artikulojnë rolin shumëshekullor të filozofisë në përjetësimin e mjerimit njerëzor. Kjo filozofi akademike në stilin perëndimor funksionon si mbështetje jetike e ethos-it çnjerëzues të Perëndimit, dhe jo si një përpjekje për të mundësuar lulëzimin njerëzor.”

“Ndoshta vlera e vërtetë e filozofisë në kohë pasigurie qëndron më pak tek përgjigjet që jep ose mohon, dhe më shumë tek vetë akti i të bërit filozofi — tek fakti i thjeshtë i të menduarit me kokën tënde, në vend që të zhdukesh në idetë e të tjerëve.” – shprehet Sophie Scott-Brown nga Universiteti i Shën Andreut. 

“Platoni nuk e pëlqente demokracinë dhe mendonte se duhej të qeveriseshim nga Mbretër dhe Mbretëresha Filozofë. Ja një version i përditësuar i kësaj ideje: le ta mbajmë demokracinë, por t’i kthejmë të gjithë votuesit në filozofë. Kur futesh në filozofi, nis të mendosh në mënyrë të gjerë, kështu që fillon të të interesojnë gjëra si e ardhmja e racës njerëzore, drejtimi në të cilin po ecim së bashku – dhe pikërisht për këto gjëra do të votonim, në vend që të ndjekim “planin” aktual për t’i lënë Musk-un dhe Zuckerberg-un të përplasen në treg se a do të shkojmë në planete të tjerë apo në realitet virtual.”

Këto janë fjalë të James Tartaglia-s nga Universiteti i Keel-it, i cili filozofon rreth vitit 3024: koha e alienëve që pinë prosecco dhe na çojnë neve njerëzve në një pension të lumtur, por kjo nuk mjafton. Teknologjia super e avancuar (e bërë nga AI) çon në një lloj letargjie intelektuale për njerëzimin. Njeriu duhet të jetë një specie filozofike, ku absolutisht të gjithë reflektojnë mbi natyrën e realitetit, fillimisht me frikërespekt, e më pas, ndërsa mendjet tona përparojnë, me kuptim. Pra filozofia duhet të masovizohet, ngase po u thellove në filozofi, mendon gjerësisht, fillon të brengosesh për gjëra si e ardhmja e llojit njerëzor…

Vazhdon…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.