Filmi danez “The Girl With the Needle” u nominua për Oscar, aktori shqiptar Besir Zeçiri luan rolin kryesor
Filmi “The Girl With the Needle”, një dramë e fuqishme e regjisorit Magnus von Horn, nga një skenar i shkruar nga von Horn dhe Line Langebek, është nominuar për Oscars 2025 si hyrja zyrtare e Danimarkës në kategorinë e Filmit më të mirë ndërkombëtar. Rolin kryesor në këtë film të veçantë e interpreton aktori shqiptar Besir Zeçiri, i cili sjell një performancë mbresëlënëse që ka tërhequr vëmendjen e kritikëve ndërkombëtarë, transmeton Portalb.mk.
Në këtë film bëhet fjalë për një ngjarje e cila zhvillohet në Kopenhagën e vitit 1919, ku një punëtore e re, e papunë dhe shtatzënë, përballet me një të ardhme të pasigurt. Ajo takon Dagmarin, një grua që drejton një agjenci të fshehtë për birësime. Një lidhje e fortë krijohet mes tyre, por gjithçka shkatërrohet kur protagonistja zbulon një të vërtetë tronditëse për aktivitetet e Dagmarit. Ky udhëtim emocional është përshkuar nga një skenar i fuqishëm dhe performanca bindëse e aktorit kryesor, Besir Zeçiri.
Në film luan Vic Carmen Sonne si një grua e re që fillon të punojë si infermiere në një agjenci të fshehtë birësimi për nënat e pafavorizuara, por që dyshon për gruan që drejton operacionin. Ai bazohet shumë lirshëm në historinë e vërtetë të vrasësit serial danez Dagmar Overbye.
Artisti Besir Zeçiri është artist nga Maqedonia e Veriut, mirëpo i lindur dhe i rritur në Kopenhagë, përfaqëson një valë të re diversiteti në kinematografinë skandinave. Fillimisht, ai kishte menduar të ndiqte karrierë në forcat e policisë, por pasioni për artin e skenës e devijoi drejt aktrimit kur iu bashkua një kompanie teatrore në vitin 2009.
Prej atëherë, karriera e tij ka njohur një ngritje të jashtëzakonshme. Roli kryesor në “The Girl With the Needle” (2024) është kulmi i suksesit të tij deri më tani. Ky film, i cili pati premierën në Festivalin e Kanës, ka marrë vlerësime të larta dhe është përzgjedhur si kandidatura zyrtare e Danimarkës për Oscars.
Aktori Besir Zeçiri për Portalb.mk tha se ndjehet tejet i gëzuar që do të jetë pjesë e Oscars 2025, dhe se roli kryesor i tij në këtë film sjell një ndjeshmëri të veçantë dhe një forcë emocionale që e bën personazhin e tij qendror të paharrueshëm.
“Jam shumë i lumtur që do të jemi pjesë e Oscars 2025, do të kem mundësi që të njoftohem me producent dhe regjisorë të ndryshëm, dhe kjo bën që të që të kemi bashkëpunime me pjesëmarrësit që do jemi atje. Përfshirja ime në një film të nominuar për Oscars është një moment krenarie për komunitetin shqiptar. Ai është dëshmi e aftësisë dhe talentit shqiptar në skenën ndërkombëtare dhe një shembull frymëzues për artistët e rinj, dhe kjo është ëndrra ime më e madhe”, tha Zeçiri.

Zeçiri shtoi se do të jetë edhe pjesë e filmave në Maqedoninë e Veriut.
“Dëshira ime e madhe është që të vij dhe të punojë së bashku me regjisorët atje, besoj se së shpejti do të kemi bashkëpunime”, tha Zeçiri.
Zeçiri ka qenë edhe pjesë e projekteve të ndryshme, si “Way Home” (2024) dhe “Outlaw” (2021), me të cilin fitoi çmimin prestigjioz Robert, dhënë nga Akademia Daneze e Filmit. Në vitin 2025, ai është përzgjedhur si një nga aktorët më premtues në programin prestigjioz European Film Promotion-Shooting Stars.
