Ish-ministri Sali dëshmoi për zhvillimet në Klinikën e Onkologjisë: Kërkova dorëheqjen e drejtorit Nino Vasev

Për shkak të mbikëqyrje për menaxhim joefektiv të Klinikës së Onkologjisë dhe pasi nuk ishte përgatitur raport për punën e Klinikës, ish-ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ka kërkuar dorëheqjen e ish-drejtorit të Onkologjisë, Nino Vasev, transmeton Portalb.mk.

Kështu ka thënë ish-ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, në seancën e sotme të Komisionit hetimor për punën e Klinikës së Onkologjisë gjatë mandatit të tij para deputetëve.

Sali në fjalën e tij lidhur me zhvillimet në Klinikën e Onkologjisë gjatë drejtimit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, si një nga masat për funksionimin e Klinikës, theksoi se ka kërkuar dorëheqjen e ish-drejtorit të Onkologjisë, Nino Vasev për shkak të menaxhimit joefektiv siç tha ai pasi nuk kishte përgatitur raport për punën e Klinikës që i ishte kërkuar.

Në seancën dëgjimore të Komisionit hetimor, ai ka treguar se ka kërkuar kontrolle të jashtëzakonshme në të gjitha klinikat, pra në të gjitha institucionet shëndetësore. Sipas tij, në sistemin shëndetësor ka probleme kronike, por asnjë nga institucionet kompetente nuk është përpjekur t’i zgjidhë ato.

“Të gjitha institucionet përkatëse në vendin tonë ishin në dijeni të mungesës së herëpashershme të barnave në Klinikën e Onkologjisë, por masat efektive nuk u zbatuan. Rrjedhimisht, i bëra thirrje Nino Vasev, drejtor i Klinikës, që të ofrojë një plan dhe vizion të zbatueshëm për tejkalimin e këtyre sfidave. Por fatkeqësisht kërkesa ime u prit me heshtje. Më pas kërkova nga doktor Vasev që të dorëzojë dorëheqjen, e cila u realizua dhe të njëjtën ditë u emërua ushtruese e detyrës së drejtoreshës Violeta Klisarova, duke paraqitur planin për zgjidhjen e problemeve në fjalë”, tha Sali

Me drejtoren e re Violeta Klisarova si ushtrues detyre, sipas Salit, ka pasur mundësi të bashkëpunojë vetëm për një kohë të shkurtër për shkak të dorëheqjes së tij nga posti ministror menjëherë më pas.

Deputetët Martin Kostovski, Gordana Siljanovska Davkova, Arben Ziberi, Jovanka Vasilevska, Toni Jarevski, Dragan Kovaçki, Zoran Kocevski, Aleksandar Veljanoski, Daniela Markovska dhe deputetë të tjerë i bënë pyetje ish-ministrit të Shëndetësisë, lidhur me masat e marra nga ministria përkatëse, për prokurimin e barnave, për metodën e terapive, për mbikëqyrjen e Ministrisë në lidhje me zhvillimet në Klinikën e Onkologjisë, komunikimin e Ministrisë me Qeverinë dhe çfarë veprimesh janë ndërmarrë gjatë drejtimit të tij me Ministrinë.

Sali mbajti postin ministror nga janari 2022 deri në shkurt 2023.

Ai theksoi se ishte një periudhë të shkurtër kohore në këtë pozicion, por mjaftueshëm për të parë problemet me të cilat përballeshin pacientët, por edhe sistemin shëndetësor.

Sipas kryetares së Komisionit dhe deputete Rashela Mizrahi, Komisioni hetimor duhet të përcaktojë nëse ka përgjegjësi politike në rastin e Klinikës së Onkologjisë.

Komisioni anketues është formuar me propozim të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe ka 12 anëtarë dhe po aq deputetë.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski do të jetë i radhës për t’u marrë në pyetje para Komisionit hetimor për rastin në Klinikën Onkologjike.

Përderisa ministri Spasovski mbrëmë në “360 gradë” në TVM1, i pyetur për rastin e Onkologjisë, tha se pret që të vërtetohen të gjitha faktet dhe argumentet, të siguruara dhe në bazë të tyre të saktësohet faji sepse, siç tha ai, fajtori ka gjithmonë një emër dhe mbiemër.

Kujtojmë se, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Për rastin në Klinikën e Onkologjisë, Kuvendi zgjodhi përbërjen e komisionit hetimor, me propozim të VMRO – DPMNE-së.

Ky rast nxiti reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.