Osmani: Maqedonia e Veriut deri në fund të vitit 2023 do të jetë vendi i parë në Evropë me zero pa shtetësi

Ndryshimet ligjore që Republika e Maqedonisë së Veriut i ka bërë në periudhën e kaluar, veçanërisht në vitin 2023, paraqesin bazë të fuqishme që deri në fund të vitit të bëhemi vendi i parë në Evropë që do ta çrrënjosë pashtetësinë. Këtë e theksoi Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së hapi Konferencën Rajonale OSBE-UNHCR-së për parandalimin e pashtetësisë në Evropën Juglindore, e cila po mbahet në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij, Osmani iu referua shembullit të Maqedonisë së Veriut dhe se si është i rregulluar me ligj procesi për zgjidhjen e rasteve të pashtetësisë.

“Në vitin 2020 kemi miratuar Ligjin e ri për personat e paregjistruar në Librin amë të të lindurve me qëllim që të mundësojmë realizimin më të lehtë të të drejtave socio-ekonomike dhe qasjen në shërbimet publike për të gjithë personat që për shkak të statusit të tyre apatrid, kanë qenë më parë të margjinalizuar. Në qershor të vitit 2023, pas konsultimeve të gjera me të gjitha agjencitë përkatëse, miratuam ndryshimet në Ligjin për librat amë, me të cilat krijuam kornizë për zgjidhjen sistematike dhe parandalimin e rasteve të reja të personave të paregjistruar”, theksoi Osmani.

Siç thekson ministri, ky vendim flet mjaftueshëm për vullnetin dhe angazhimin e qartë politik të nevojshëm për çrrënjosjen e pashtetësisë dhe sigurimin e identitetit ligjor për të gjithë personat e paregjistruar.

Osmani theksoi se gjithëpërfshirja, mosdiskriminimi dhe mbrojtja e të drejtave të çdo individi janë thelbi i vlerave të OSBE-së dhe prioritet në punën tonë si kryesues aktualë të Organizatës.

“Statusi i pashtetësisë nuk guxon të nënkuptojë privim automatik nga të drejtat themelore të njeriut. Askush nuk meriton të pengohet të ushtrojë të drejtat e tij njerëzore. Asnjë njeri, me apo pa kombësi, nuk e meriton këtë fat. Fatkeqësisht personat pa shtetësi përballen me një sërë kufizimesh sa i përket të drejtave të tyre socio-ekonomike dhe lirisë së lëvizjes, duke u përballur në vazhdimësi me persekutim që është plotësisht në kundërshtim me parimet themelore të humanizmit dhe të njerëzishmen”, tha Osmani.

Gjithashti Osmani tha se për tu ballafaquar me këtë problem, duhet angazhim i shtuar i të gjitha shteteve, bashkëpunim i ndërsjellë i institucioneve dhe ndjeshmëri më e madhe ndaj problemit.

Konferenca e sotme është organizuar bashkërisht nga OSBE-ja dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë – UNHCR dhe paraqet bazë të fuqishme për inkurajimin e veprimit të përbashkët për përballimin e kësaj sfide mes vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, tha Osmani.

Në Maqedoninë e Veriut pritet të zgjidhet problemi i personave që nuk kanë shtetësi pas miratimit të disa ndryshimeve ligjore në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

“Me këtë është paraqitur nevoja për të ndërhyrë në dispozitat e caktuara në Ligjin për paraqitjen e vendbanimit dhe vendqëndrimit të qytetarëve dhe Ligjin për letërnjoftim me qëllim të përfundimit të procesit të zgjidhjes së problemit të pashtetësisë, në mënyrë që pashtetësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut t’i jepet fund dhe të zgjidhen të drejtat themelore të njeriut te rreth 700 persona, aq sa u detektuan në vendin tone”, njoftoi  Kuvendi më 3 tetor.

Ndryshimi i Ligjit për paraqitjen e vendbanimit dhe vendqëndrimit, si dhe Ligji për letërnjoftim, janë ligje që u miratuan në kuadër të seancës plenare të 125-të.

“Në këtë mënyrë, këta persona të paevidentuar – të ashtuquajtur fantomë tani do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre themelore të njeriut, kështu që Maqedonia e Veriut do të jetë e para në Evropë dhe në botë që do të ketë zgjidhur statusin e pashtetësisë. Po ashtu, ndërhyrjet e miratuara në ligjet e cekura janë garanci se situata me personat pa shtetësi nuk do të përsëritet në vend”, sqaroi Kuvendi.

Ndryshe, sistemi jo konsistent i shkëmbimit të të dhënave të institucioneve, numri i madh i procedurave burokratike dhe ligjet e krijuara keq çuan në faktin që mbi 700 persona në vend nuk kanë shtetësi. Shpesh të quajtur në publik si persona “fantom”, këta persona nuk kanë pasur akses në të drejtat elementare të njeriut – sigurim shëndetësor, posedim të letërnjoftimit dhe përdorimin e ndihmës sociale deri në hapjen e llogarisë së transaksionit. Gotën e derdhi rasti i Memet Kamber, djalit 19-vjeçar i cili vdiq muajin e kaluar për shkak të diabetit të padiagnostikuar, pasi nuk kishte mundësi të merrte sigurim shëndetësor dhe fillimisht shkoi në spital kur gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dukshëm librezë shëndetësore të dikujt tjetër. Edhe pas vdekjes, djali nuk mund të varrosej pasi nuk kishte dokumente identiteti, kështu që procedura zgjati më shumë se tre javë.