Filipçe kërkoi nga Bullgaria që të mos ketë kërkesa në bazë joparimore në rrugën e vendit drejt BE-së

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në takimin e sotëm me qytetarë në Prilep porositi se Bullgaria duhet qartë të prononcohet se nuk do të vendosë kërkesa joparimore në rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, njofton Portalb.mk.

“Ka ardhur koha që pala bullgare të bëjë hap të vërtetë evropian. Nëse me të vërtetë dëshirojnë që fqinji i tyre të jetë pjesë e BE-së, le të tregojnë sjellje evropiane. Nëse ekziston frikë nga bllokime të mundshme në bazë të identitetit, gjuhës ose kushteve tjera joparimore, le të dalin dhe qartë të thonë se diçka të tillë nuk do të ndodhë. Kjo do të ishte politikë e vërtetë e fqinjësisë së mirë, e jo presione ndaj më të vegjëlve dhe më të dobtit”, tha Filipçe.

Ai ka theksuar edhe se LSDM-ja aktivisht punon dhe lobon përmes partive të saj simotra në familjen evropiane të PES për marrje të mbështetjes për raportin për progres të vendit pasi paraprakisht kryeministri Hristijan Mickoski kërkoi nga LSDM-ja dhe PLD-ja që të lobojnë tek miqtë e tyre në partitë simotra.

Filipçe ka potencuar edhe se pikërisht falë politikave të guximshme dhe shtetërore të qeverive të LSDM-së, gjuha maqedonase sot është zyrtarisht e pranuar në BE.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.