Filharmonia e Kosovës mbajti koncert për nder të 17-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, pjesëmarrës edhe Shkëlzen Baftiari

Filharmonia e Kosovës mbrëmë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë mbajti koncertin e 17 Shkurtit në kuadër të agjendës zyrtare të shënimit të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, transmeton Portalb.mk.

Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës mbrëmë sollën një program me vepra të kompozitorëve nga Kosova nën dirigjimin e Baki Jasharit.

“Koncerti filloi me veprën “Suita ilire” nga Mark Kaçinari (në 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit) dhe përfshiu tri vepra premierë: “Fantazi për piano” nga Blond Krasniqi me solist Shkëlzen Baftiarin (piano), nga Maqedonia e Veriut, poema simfonike “Mizer-Reçak” nga Librun Jupolli dhe kantata “I miri i motrës” nga Korab Shaqiri me soliste Flaka Goranci (mexosoprano)”.

Në këtë mbrëmje u interpretuan “Dies Irae” (Messa da Requiem) nga Giuseppe Verdi dhe “Vendi im” nga Valton Beqiri, e kompozuar mbi temën e këngës “Mallëngjimi”.

Nga momentet më interesante të koncertit ishte ekzekutimi i Poemës Simfonike “Mizer Reçak, një premierë e kompozitorit Liburn Jupolli. Kjo poezi muzikore u përbë nga një serë kompozicionesh që pasqyronin tragjeditë e luftës, përfshirë “Rrethimi në mëngjes”, “Granatimet dhe Bastisjet”, “Ekzekutimi i Banushit”, dhe shumë pjesë të tjera që ilustruan dramën dhe dhimbjen e Kosovës gjatë periudhës së luftës. Pjesa finale, “Të mbijetuarit”, solli një reflektim emocionues për forcën dhe qëndresën e popullit kosovar.

Pamje nga koncerti i Filharmonis Kosovës. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)
Pamje nga koncerti i Filharmonis Kosovës. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)

Mbrëmë për herë të parë në koncert u shfaq Kantata “I Miri i Motrës” e kompozitorit Korab Shaqiri. Pjesa e parë, Intro, dhe pas saj Ninulla, Pastorale, Dasma, Lufta, Drama, Balada, dhe Elegjia e mbushën sallën me tinguj të bukur muzikor, që shprehën themelet e një historie të ngushtë mes personazheve dhe ndjeshmërive të tyre.

Meksosopranoja Flaka Goranci gjithashtu ishte pjesë e kësaj nate të veçantë që e pasuroi këtë program festiv me performancën dhe zërin e saj i fuqishëm.

Shkëlzen Baftiari për Portalb.mk tha se ka nderin që interpretoi si solist në premierën e veprës “Fantazi për Piano” nga kompozitori Blond Krasniqi, nën dirigjimin e Baki Jasharit.

“Mbrëmë isha pjesë e koncertit festiv të Filharmonisë së Kosovës, organizuar për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë koncert pata nderin të interpretoj si solist premierën e veprës “Fantazi për Piano” nga kompozitori Blond Krasniqi, nën dirigjimin e Baki Jasharit.Kjo është një vepër e re, e mbushur me energji dhe ndjenja të thella, e cila sjell një qasje unike ndaj pianistikës dhe shprehjes muzikore. Kaluam një mbrëmje të veçantë dhe jam shumëë i lumtur që solla këtë premierë për publikun prezent të cilët na u bashkangjitën mbrëmë në koncert”, tha Baftiari.

Ai shtoi se festat historike nuk duhet të jenë vetëm ditë pushimi apo aktivitete ceremoniale, por edhe një mundësi për reflektim dhe edukim.

“Festat historike, si Pavarësia e Kosovës, janë momente kyçe që na kujtojnë rrugëtimin tonë si komb dhe sakrificat që kanë sjellë lirinë dhe identitetin tonë. Vëmendja që u kushtohet këtyre datave është e rëndësishme, por gjithmonë mund të bëhet më shumë, sidomos në aspektin kulturor dhe artistik. Mendoj se festat historike nuk duhet të jenë vetëm ditë pushimi apo aktivitete ceremoniale, por edhe një mundësi për reflektim dhe edukim. Kultura dhe arti, përmes muzikës, teatrit apo ekspozitave, mund të jenë mënyra të fuqishme për ta përcjellë mesazhin e këtyre ngjarjeve tek brezat e rinj. Për këtë arsye, një koncert si ai i Filharmonisë së Kosovës, ku do të interpretohet një vepër e re shqiptare, është një shembull i mirë se si mund t’i japim vlerë dhe kuptim të ri festave historike”, tha Baftiari.

Pamje nga koncerti i Filharmonis Kosovës. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)
Pamje nga koncerti i Filharmonis Kosovës. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)

Baftiari gjithashtu potencoi se një koncert si ky i Filharmonisë së Kosovës, që sjell premierën e një vepre të re shqiptare, është një shembull i shkëlqyer se si arti mund të bëhet pjesë e festimeve historike.

“Absolutisht, mendoj se duhet të ketë më shumë evente të tilla, sepse arti dhe kultura janë mënyra të fuqishme për të ruajtur dhe përcjellë historinë tonë. Përmes muzikës, teatrit, ekspozitave dhe ngjarjeve të tjera kulturore, ne mund të krijojmë një lidhje më të fortë me të kaluarën dhe ta përcjellim atë tek brezat e rinj në një mënyrë të gjallë dhe domethënëse. Një koncert si ky i Filharmonisë së Kosovës, që sjell premierën e një vepre të re shqiptare, është një shembull i shkëlqyer se si arti mund të bëhet pjesë e festimeve historike. Në këtë mënyrë, nuk festojmë vetëm të kaluarën, por edhe krijojmë diçka të re që mbetet për të ardhmen. Prandaj, organizimi i më shumë eventeve të tilla do të ndihmonte që historia jonë të mos harrohet, por të vazhdojë të jetojë përmes kulturës dhe muzikës”, tha Baftiari.

Pamje nga koncerti i Filharmonis Kosovës. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)
Pamje nga koncerti i Filharmonis Kosovës. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)