Lira Bojku: Përfaqësimi i grave në fushën e drejtësisë është kyç për të pasur një sistem të balancuar dhe të drejtë
Lira Bojku është autore shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Jeton në Shkup, ndanë dashurinë dhe pasionin mes profesionit si gjykatëse e ardhshme dhe letërsisë si lexuese e regjur dhe autore librave: “Këpucët e kuqe”, “Dashuria në lavatriçe” dhe “ Dashuria e gjeneralit Sh.”, ” Doja të të them”. Për Portalb.mk sjellim një bisedë me të ku flasim për shumë gjëra.
Intervistoi: Xhemazije Rizvani
Portalb: Një proverb thotë arma që i duhet një gruaje është një buzëkuq. E përse i duhen një palë këpucë të kuqe?
Lira Bojku: Unë nuk do pajtohesha plotësisht me këtë proverb. Buzëkuqi mbase simbolizon bukurinë dhe vetëbesimin duke sugjeruar se një femër mund të arrijë shumë me vetëbesim dhe siguri në vetvete, megjithatë, jam e mendimit se në botën e sotshme, komplekse dhe të ndryshueshme gratë kanë nevojë për më shumë se buzëkuq për të përballuar sfidat dhe për të arritur sukses. Gratë e sotme kanë nevojë për një arsenal më të gjerë “armësh”, të tilla si mençuria, arsimi, dija, guximi. Një edukim i mirë dhe një bazë e fortë e njohurive janë të domosdoshme, po aq e rëndësishme është edhe aftësia profesionale, pavarësia financiare dhe aftësia për të përballuar sfidat e për të mos u dorëzuar.
“Këpucët e kuqe” është titulli i librit tim të parë, përmbledhje me tregime, botuar në vitin 2013, me të cilin unë bëra hapat e para në letërsi andaj këto ,,këpucë” i çmoj dhe ruaj në dollapin e zemrës sime. Femrës i duhen “këpucë të kuqe” që simbolizojnë rrugën e fuqishme dhe të vendosur drejt synimeve, duke ecur përpara me bindje dhe duke lënë gjurmë të qëndrueshme me veprat dhe punën e tyre. Në këtë mënyrë, “këpucët e kuqe” për mua përfaqësojnë përparimin, emancipimin, fuqinë dhe aspiratën e një gruaje për të arritur majat e suksesit.
Portalb: Edhe Justicia ishte femër. Çka do të thotë kjo, a luan rol gjinia në drejtësi?
Lira Bojku: Fakti që Justicia është përfaqësuar si një femër tregon rëndësinë e simbolit të barazisë dhe paanësisë në drejtësi. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e drejtë për të gjithë, pavarësisht gjinisë. Megjithatë, përfaqësimi i grave në fushën e drejtësisë është kyç për të pasur një sistem të balancuar dhe të drejtë, ku të gjithë individët ndihen të përfaqësuar dhe të mbrojtur. Gjithsesi, një sistem drejtësie ku përfaqësimi gjinor është i balancuar siguron që drejtësia të jetë më gjithëpërfshirëse dhe të reflektojë më mirë nevojat dhe perspektivat e të gjithëve…
Më gëzon veçanërisht fakti që në Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë ne Maqedoninë e Veriut, në gjeneratën e tetë të gjykatësve dhe prokurorëve të ardhshëm, ku bëj pjesë edhe unë, dominon gjinia femërore, e cila shquhet për aftësitë e saj profesionale me një themel apo bazë të fuqishme të diturisë. Ky përfaqësim i femrave te afta ne pushtetin gjyqësor, është një tregues i fuqisë së potencialit të tyre dhe i rolit të rëndësishëm që ato luajnë në avancimin e drejtësisë dhe shoqërisë tonë në përgjithësi.
A ke pasur ndonjëherë një djalë në bankën e shkollës?! Se krejt vajzat kanë shoqe banke si të duket?
Po, ka pasur një periudhë në shkollën e mesme kur kujdestarja e klasës bënte ndryshime të herë pas hershme mes shokëve e shoqeve të bankës. Kjo praktikë kishte për qëllim të na ndihmonte të njiheshim më mirë, të ndihmonim dhe të motivonim njëri-tjetrin. Në atë kohë, e mbaj mend shoku im i bankës bëri përparime të dukshme në angazhimin dhe seriozitetin e tij ndaj mësimit. Ai u bë më i interesuar për mësim dhe më pedant në realizimin e detyrave dhe obligimeve shkollore.
Portalb: Krejt baballarët duan djem dhe kur i pyet pse, të thonë : ” vajzat heqin shumë” ?! A e beson këtë gjë, si e pleqëron këtë dëshirë të çuditshme të prindërve, madje ka dhe gra që dëshirojnë më shumë të sjellin në jetë një djalë.
Lira Bojku: Kjo është një pyetje mjaft interesante dhe e thellë që prek normat dhe perceptimet shoqërore. Dëshira e disa prindërve për të pasur djem, e ndonjëherë me justifikimin se “vajzat heqin shumë,” mund të lidhet me shumë faktorë kulturore, sociale dhe individualë.
E vërteta është që ne jemi të rrethuar nga një botë që ndikohet nga struktura maskiliste rrjedhimisht në një shoqëri të këtillë ku dominon një mentalitet që favorizon meshkujt, ndryshimi bëhet më i vështirë. Këto struktura ndihmojnë në mbështetje të stereotipave gjinore dhe shpesh ndikojnë në mënyrën se si trajtohen vajzat, duke krijuar barriera të shumta në arritjen e mundësive të barabarta. Megjithatë, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të angazhohemi për ndryshim.
Është e rëndësishme të kuptojmë se çdo individ, pavarësisht nga gjinia, ka cilësi, vlera dhe potencial të veçantë andaj është e rëndësishme të promovojmë një qasje që vlerëson çdo fëmijë për atë që është dhe për atë që mund të kontribuojë, pa u ndikuar nga stereotipa të vjetra dhe paragjykime gjinore qe i përkasin të kaluarës dhe nuk i shërbejnë askujt…
Portalb: Si të njohin më shumë të tjerët?
Lira Bojku: Nuk e di, mbase për këtë më mirë do përgjigjej dikush tjetër. Besoj se më shumë më identifikojnë si shkrimtarja Lira Bojku edhe pse në fakt unë me profesion kam notuar thellë në fushën e gjyqësorit, drejtësisë, e ligjeve duke u bërë pjesë e Akademisë për gjykatës e prokurorë publik dhe në rrugë e sipër për tu bërë gjykatëse së shpejti. Nga ana tjetër pasion dhe dashuri i kam artet e bukura, vizatimin dhe shkrimin…shkrimin në veçanti…
Mbase dhe ekziston një përballje në mes gjyqësorit ku unë veproj kundruall fushës së artit, ku në fakt si koncept është një përballje përbrenda meje midis dy pushtetesh të natyrave të ndryshme andaj kjo e bën shumë të ashpër përplasjen mes tyre….por mendoj që gjithmonë kam dashur të merrem me më shumë gjëra njëkohësisht dhe jeta do ishte monotone sikur të zgjidhja vetëm njërën.
Mendoj që pikërisht arti është ai i cili i jep jetë, ngjyrë, gjallëri, dridhje, emocion… i jep mëlmesa jetës sime duke me tërhequr pak nga përditshmëria ime që dy vitet e fundit kryesisht është mbi lëndë juridike, ligje e akte nënligjore…
Portalb: Cilët personazhe të krijimtarisë tënde kanë diçka nga ti?
Lira Bojku: Këtë nuk mund tua them saktësisht sepse kur ti krijon diçka, me dashje apo pa dashje, me ose pa vetëdije… kur i brumos personazhet e tua, derdh edhe disa thërrime nga vetvetja, nga bindjet, mendimet, parimet, ëndrrat, dëshirat, frikërat, synimet, gabimet, pendimet etj. por si tërësi personazhet e mija janë përbërje apo kompozim i më shumë karaktereve gjegjësisht janë personazhe imagjinare…
… E dini si është, unë kam shkruar diku mbi 50 tregime me po aq e më shumë personazhe, lexuesit e mi e dinë që unë shpesh herë shkruaj edhe në cilësinë e mashkullit… thjesht unë i dua gjithë personazhet e librave të mi ashtu siç janë…
Portalb: Të qenit krijuese të plotëson? Kanë plotë shkrimtarë ese ku shpjegojnë “Përse shkruajnë”, po ti Lira, pse shkruan?
Lira Bojku: Përgjigjja ndaj pyetjeve të tilla është sa e thjeshtë, aq edhe e ndërlikuar për mua. Shkruaj sepse dëshira për të shkruar dhe për të rrëfyer është e rrënjosur thellë në gjakun tim si të thuash është pjesë e trashëgimisë sime. Është një nevojë e brendshme që më shtyn të krijoj botë të reja, të thur storie dhe personazhe që pasqyrojnë gërshetimin e bukurisë me dhimbjen e jetës, për të ndarë kështu emocionet që na bëjnë njerëz.
Ajo që kam për të thënë e për ta shkruar në një farë forme më zotëron, është si një dëshire e zjarrtë për të çliruar shpirtin përmes fjalëve. Është frymëzimi që të vjen kur nuk e pret, ajo fjalia e vetme që e di se do ta përdorësh diku në tregim dhe të mjafton që të fillosh te shkruash pa e ditur fundin e atij tregimi që po e thur aty për aty… fjalët më ngrohin, më çlirojnë dhe njëkohësisht më robërojnë. Siç ka thënë Hegeli, “Vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston për shpirtin.”
Pra është një akt i sinqertë krijimi që më lidh me veten dhe me botën përreth…e unë ndjej një kënaqësi të veçantë kur arrij të shpreh atë që zemra dhe mendja dëshirojnë ta komunikojnë.
Portalb: “Lira” nga instrumenti grek, nga monedha ose nga ndonjë gjë tjetër emri ?
Lira Bojku: Disa thonë emri e bën njeriun, disa të tjerë thonë njeriu e bën emrin… sidoqoftë… për këtë pyetje do duhej ta pyesni babain tim, i cili e ka zgjedhur këtë emër me shumë kujdes.
Për aq sa di unë, mendoj që ka ndikuar ajo që emri “Lira” si emër i shkurtë, me 4 shkronja, i rrallë e i pa shfrytëzuar në atë kohë, është shumë kuptimor dhe e ka përzgjedhur jo vetëm për rezonancën e tij pozitive në shumë aspekte por edhe për filozofinë që mbart. Pra e gjeni si një instrument të lashtë grek, e gjeni si një mbiemër pra “e lirë, që gëzon liri”, që ka të drejtën dhe mundësinë për të vepruar sipas dëshirës, qoftë si LIRË, apo 5-LIRËSHE e floririt që zbukuron qafën e nuseve, qoftë si kuptim i figurshëm; frymëzimi e krijimi poetik…etj.
Këtu nëse më lejoni të citoj njërin nga recensentët e librit tim të fundit “Doja të të them!” që në mes tjerash thotë: “emri i saj “I rastësishëm” është “I qëlluar” dhe do të na asocojë në Lira-Lirike, si një simbolikë, si një rastësi, ose ndoshta një inspirim i dhuruar nga Zoti – …që liriken në vetvete në një mënyre të bukur të jetë në gjendje ta derdh jo vetëm në poezi por edhe në prozë”.
Portalb: Të qenit bija e shkrimtarit është një lloj privilegji?!
Lira Bojku: Sigurisht që po dhe ndjej një ndjesi të thellë mirënjohjeje sepse rritja në një ambient të mbushur me libra ka formuar mënyrën si i shoh gjërat dhe si i përjetoj emocionet… është si të kesh një dritare të hapur drejt botës së krijimtarisë dhe imagjinatës. Pra kam pasur fatin të jem e rrethuar e të rritem mes librave, shkrimtarëve e artistëve të shumtë që ishin mysafirë të shtëpisë sonë, pastaj ideve, diskutimeve e debateve të shumta që kanë formuar mendjen dhe shpirtin tim e njëkohësisht kanë ushqyer kureshtjen dhe pasionin tim për letërsinë dhe jo vetëm. Ky privilegj nuk është vetëm një dhuratë, por edhe një përgjegjësi do thoja…
Nga ana tjetër, të kesh një prind shkrimtar do të thotë të kesh një mentor të përhershëm, një burim frymëzimi, dikë që e ka kuptuar dhe vlerësuar pasionin tim për fjalët dhe që më ka ndihmuar të kuptoj thellësinë dhe bukurinë e shkrimit dhe librave. Ky privilegj më ka dhënë mundësinë të mësoj nga afër artin dhe mjeshtërinë e shkrimit, të zhvillohem si një krijuese e re.
E mira është që prindërit gjithmonë kanë besuar në mua dhe më kanë mbështetur e frymëzuar që të ndjek rrugën e krijimtarisë me guxim dhe përkushtim andaj jam gjithmonë falënderuese për këtë.
Portalb: Çfarë do ndryshoje në ligjet që përfaqësojnë femrat në Maqedoni ose botë? Çka ne mund të mos ta dimë?
Lira Bojku: Ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ashtu si edhe ato të shumicës së vendeve të botës, garantojnë përfaqësim të drejtë dhe pa diskriminim gjinor në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Në teori, kjo çështje është e rregulluar në mënyrë të plotë, por sfida kryesore shfaqet në zbatimin praktik të këtyre ligjeve. Diskriminimi gjinor vazhdon të mbetet një fenomen i përhapur, veçanërisht në sektorin privat, ku shpesh here i jepet përparësi gjinisë mashkullore kundruall asaj femërore sidomos gjatë procesit të punësimit. Kjo prirje përforcohet nga fakti që femrat, për shkak të rolit të tyre dhe si nëna janë ato të cilat marrin pushimin e lindjes dhe shpesh herë dhe pushimet mjekësore për shkak të kujdesit për fëmijët e tyre kur sëmuren. Duke marrë parasysh se në të gjitha nivelet e arsimit, femrat jo vetëm që janë në numër më të madh se meshkujt, por gjithashtu arrijnë rezultate më të larta akademike, është e habitshme dhe shqetësuese që përfaqësimi i tyre në tregun e punës, veçanërisht në pozitat drejtuese, mbetet tepër simbolik. Kjo tregon se, pavarësisht cilësisë së ligjeve, ato shpesh mund të anashkalohen.
Për këtë arsye, do të ishte e drejtë dhe e domosdoshme që të bëhet e obligueshme me ligj që pushimi i lindjes dhe pushimet mjekësore për fëmijët të ndahen në mënyrë të barabartë në mes nënës dhe babait (pra si detyrim i pashmangshëm edhe ndaj babait e jo si mundësi apo dëshirë e tij siç është aktualisht).
Gjithashtu, është thelbësore të fokusohemi në edukimin e gjeneratave të reja mbi rëndësinë e zbatimit të një diskriminimi pozitiv ndaj grave, duke përmirësuar kështu një shkelje dhe pabarazi shumë shekullore, pasi gratë dhe burrat nuk e kanë të njëjtin “start” në jetë. Edukimi i ri mbi këtë çështje është vendimtar për arritjen e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.