Familjarët e viktimave të rastit “Llaskarca” protestuan pasi gjysma e të dënuarve ende nuk kanë filluar vuajtjen e dënimit me burg

Familjarët e 16 viktimave të rastit të Llaskarcës organizuan protestë, duke shprehur indinjatë që gjysma e personave të dënuar ende nuk kanë filluar të vuajnë dënimin me burg. Sipas ligjit, të dënuarit kanë të drejtë të kërkojnë shtyrje të ekzekutimit të dënimit për arsye shëndetësore, të cilat në këtë rast janë miratuar nga Gjykata e Gostivarit pas disa refuzimesh paraprake. Megjithatë, përfaqësuesi ligjor i familjarëve, Vlladimir Nikollovsk, shpreh dyshime për mundësi keqpërdorimi dhe kërkon nga Këshilli Gjyqësor që të shqyrtojë me kujdes procedurat dhe dokumentacionin përkatës, transmeton Portalb.mk.

Të dënuarit që nuk po e vuajnë dënimin për arsyet e mësipërme janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë “Durmo Turs” i  dënuar me nga 10 vjet dhe udhëheqësi i transportit, Remzi Miftari i dënuar me po aq vite, si dhe të dënuarin me 5 vjet burg Jane Babarovski, kontrollor teknik.

Ndërkohë, Goran Dukovski dhe Igor Gkorgjievski, kontrollorët teknikë, të dënuar secili me 7 vjet burg, si dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, i cili mori 14 vjet, kanë nisur të vuajnë dënimin që nga 6 qershori.

Kujtojmë që aksidenti ndodhi më 13 shkurt 2019 në autostradën Shkup – Tetovë në fshatin Llaskarcë, jetën e humbën 16 persona ndërsa 38 të tjerë u plagosën por shpëtuan. Autobusi i aksidentuar i “Durmo Turs”, ishte i linjës së rregullt Shkup-Gostivar, ndërkaq kompania transportuese vazhdon ende të bartë udhëtarë.

Pas 150 seancash gjyqësore dhe pothuajse pesë vitesh në gjykatë, të afërmit kanë shprehur vazhdimisht dyshimin e tyre se çështja është zvarritur qëllimisht nga procedurat formale.