Cilësia e ajrit në Shkup, kryeqytetit më të ndotur në Evropë, mbikëqyret nga laborator i paakredituar shtetëror dhe vetëm nga një punonjës

Laboratori Qendror i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk është akredituar për asnjë metodë për monitorimin e cilësisë së ajrit. Edhe pse Shkupi çdo vit ndodhet në majat e listave të qyteteve më të ndotura në botë, matjet u besohen laboratorëve privatë me të cilët Ministria lidh kontrata. Këtë e dëshmon edhe shembulli i fundit me zjarrin në Trubarevë, i cili edhe një herë nxori në pah problemin që po zgjat tashmë prej disa vitesh. Për marrjen e mostrave për matjen e cilësisë së ajrit në Shkup këto ditë është angazhuar Euromak Kontroll me të cilën Ministria ka nënshkruar kontratë njëvjeçare në muajin prill, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Arsyeja se pse Laboratori Qendror nuk mund të akreditohet për metodën për ajrin është se nuk ka numër të mjaftueshëm të punonjësve që kërkohen sipas standardit, thonë nga Ministria. Edhe pse disponon me një instrument cilësor për matjen e emetimeve nga burimet stacionare, me të punon vetëm një punonjës, ndërkohë që nevojiten tre.

“Sa i përket cilësisë së ajrit Laboratori Qendror mat vetëm emetimet e gazrave nga burimet stacionare, oxhaqet për të cilat ne ende nuk jemi akredituar. Dy vjet më parë u nda edhe buxhet dhe u shpall dy herë konkurs për punësimin e tre personave, por vetëm njëri u pranua, sepse nuk konkurruan persona profesionistë”, thonë nga Ministria.

Laboratori mund të punojë për nevojat e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, por tashmë për një kohë të gjatë inspektorët nuk kërkojnë shërbime. Matje mund të porosisin edhe kompani që kanë nevojë për rezultate të caktuara, të cilat nuk janë nga një institucion i akredituar. Pikërisht për këtë arsye Laboratori nuk porosit instrumente të reja.

“Sa i përket matjes së emetimeve nga burimet stacionare, ne kemi një instrument mjaft cilësor Horiba me të cilin kryejmë matje, por nuk kemi blerë të reja. Për momentin nuk kemi nevojë për instrumente, por për burime njerëzore”, thonë nga Ministria.

Laboratori qendror është i akredituar për 20 metoda për ujërat e zeza dhe ujërat sipërfaqësore, si dhe një metodë për matjen e niveleve të zhurmës në mjedisin jetësor. Në mars të këtij viti institucioni u bë me një certifikatë të re katërvjeçare për të njëjtat metoda dhe vërtetoi se po zbatohet sistemi i cilësisë së standardit për një laborator të akredituar. Ministri Izet Mexhiti muajin e kaluar informoi se laboratori është pajisur një instrument me vlerë prej 160.000 euro nga UNOPS për testimin e metaleve të rënda në tokë, ujë dhe ajër, ndërsa instalimi i pajisjeve dhe trajnimi i punonjësve do të bëhet gjatë këtij muaji.

Akreditimi i Laboratorit Qendror për matjen e emetimeve në ajër ishte një nga kërkesat më të përsëritura të organizatave ekologjike me qëllim për ta ndihmuar punën e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor në dokumentimin e rasteve të ndotjes së ajrit. Laboratori ekziston për më shumë se katër dekada dhe ka qenë pjesë e Ministrisë që nga themelimi i saj në vitin 1995. Fakti që nuk ka akreditim për asnjë metodë për ajrin është arsyeja se pse matjet e tij të parametrave të ndryshëm të ndotjes nuk konsiderohen prova të forta, sidomos në procedurat gjyqësore kundër ndotësve, prandaj nuk ka qenë në funksion të Inspektoratit të Mjedisit Jetësor për dokumentimin e rasteve të ndotjes së ajrit deri më tani.