RMV, afati për aplikim për pajisje klimatike inverter përfundon më 5 tetor

Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale informon se deri më 12 shtator, janë pranuar gjithsej 3,954 aplikime në kuadër të Programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë, për pajisje klimatike inverter. Nga këto, 2,375 aplikime janë dorëzuar nga  amvisëri me të ardhura të ulëta dhe 1,579 nga amvisëri ku e vetmja e ardhur është pensioni, transmeton Portalb.mk.

Ministria informon qytetarët se ka ende mundësi për të aplikuar – afati i fundit është 5 tetor 2025. Qytetarët që i përkasin kategorive të cenueshme dhe që plotësojnë kushtet mund të paraqesin aplikime deri në këtë datë.

Aplikimet mund të dorëzohen përmes arkivave të Ministrisë së energjisë, minierave dhe burimeve minerale ose online përmes faqes zyrtare: www.energy.gov.mk.

Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve të kualifikuar të përfitojnë nga mundësia dhe të aplikojnë para skadimit të afatit.

Kush mund të aplikojë?

  • Amvisëri me të ardhura të ulëta, të cilat në vitin 2024 nuk kanë tejkaluar të ardhurat mujore neto në këto shuma:
  •  25,000 denarë për një anëtarë në amvisëri.
  •  31,000 denarë për  amvisëri me dy anëtarë
  •  37,000 denarë për amvisëri me tre anëtarë
  •  43,000 denarë për amvisëri me katër ose më shumë anëtarë
  • Amvisëri ku e ardhura e vetme është pensoni, dhe të ardhurat mujore neto në vitin 2024 nuk e kanë tejkaluar:
  •  15,700 denarë për një anëtarë në amvisëri
  •  19,800 denarë për amvisëri me dy anëtarë
  • 23,700 denarë për amvisëri me tre ose më shumë anëtarë

Një person mund të bëjë vetëm një kërkesë për një amvisëri.

Të drejtë për pajisje klimatike inverter nuk kanë  amvisëritë që gjatë 5 viteve të fundit kanë përfituar subvencion për blerjen të  një pajisjeje klimatike  ose sobë me pelet, si dhe ato që kanë një sistem ngrohjeje qendrore të lidhur.

Për këtë masë janë ndarë gjithsej 170 milionë denarë. Fondet do të përdoren për blerjen dhe instalimin e pajisjeve klimatike  inverter 3.5 kW dhe klasit të energjisë A+, të cilat do të instalohen direkt në shtëpitë e përdoruesve.