Europa tjetër sipas Zagajewskit
Shpirtin e Europës mund ta njohim më mirë duke i lexuar veprat e mendimtarëve dhe shkrimtarëve. Europa e Bashkuar lindi në ëndrrat e tyre. Shpirtin e Europës mund ta njohim më thellë edhe nëpërmjet sprovës “Europa jonë” të shkruar nga poeti, shkrimtari dhe eseisti polak Adam Zagajewski (1945 – 2021), i cili u mahnit nga Europa, por edhe e kritikoi atë. Ai foli për një Europë ku fjalën kryesore s’do ta kishin vetëm politikanët, por edhe shkrimtarët e mendimtarët. Zagajewski e deshi një Europë solidare, që nuk do t’i harronte rrënjët dhe gjeniun e saj krijues; që do të punonte pareshtur për t’i fituar zemrat e qytetarëve të saj dhe ku nuk do të kishte vend për ksenofobinë, nacionalizmin dhe anët e errëta të kapitalizmit. Europa, sipas tij, mund të jetë trillim mahnitës, për sa kohë mungon lidhja e thellë shpirtërore me të.
“Sa e di, sot askush nuk dëshiron që të vdesë për Europën – edhe pse, deri vonë, europianët ishin të gatshëm të vdisnin për vendet e tyre – për Francën, Gjermaninë ose Poloninë dhe kjo ndodhi shpesh herë. A është Europa trillim? Nëse është, atëherë do të ishte trillim magjepsës”.
Zagajewski shkroi për Europën Tjetër, të madhen, mbikombëtaren, të hapurën ndaj larmisë, e cila duhet të bazohet në vlerat e saj shpirtërore dhe jo të pretendojë të bëhet qendër e madhe tregtare.
Europa, sipas Leszek Kolakowski-t, i cili citohet nga autori, është e veçantë për shkak të trashëgimisë kulturore dhe prirjes për t’i lejuar dhe motivuar shkrimtarët, mendimtarët, shkencëtarët dhe humanistët që të kritikojnë dhe të vetëkritikohen, madje edhe duke e tepruar.
“Nëpërmjet ndershmërisë dhe çiltërisë intelektuale, deri diku, mund të ekuilibrohen mëkatet dhe krimet e Europës (fatkeqësisht të shumta)”, tha Kolakowski.
Zagajewski u shqetësua për Europën që e humbte identitetin, e harronte gjeniun krijues dhe kishte “më pak reflektim mbi arritjet morale të kontinentit”.
Ai e mbështeti edhe qasjen e mendimtarëve europianë se Europa Lindore dhe Qendrore duhej “të trajtoheshin si pjesë përbërëse të një organizmi më të madh kulturor, dhe jo si tokë e gjerë, e harruar dhe monotone”.
Zagajewski e kritikoi pasivitetin dhe paaftësinë e Europës për ta dëshmuar veten kundrejt tmerreve që ndodhën në kontinent, veçanërisht në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
“A mund të jemi të sigurt se pasiviteti i njëjtë ndaj një tragjedie të ngjashme nuk do të përsëritet edhe në të ardhmen?”, pyeti ai.
Pasivitet ndodhi sepse elitat politike dhe mendore, siç thotë, i duan fjalët, por nuk dihet nëse i duan njësoj edhe veprat.
Europa, ku ka triumfuar laiciteti, sipas tij, nuk duhet të jetë vetëm Europë e prirë drejt teknologjisë dhe ekonomisë, por edhe Europë që ka nevojë për Montaigne-in dhe Pascal-in, pra për përmasën shpirtërore. Duke iu referuar Tommaso Ceva-s, sipas të cilit “poezia është ëndërr e ëndërruar në prani të arsyes”, Zagajewski shtoi: “Ne mund të përpiqemi ta përkufizojmë Europën duke e përmbysur këtë formulë: Europa është veprim racional që është ndërmarrë në prani të ëndrrave. Përndryshe, veprimi racional degjeneron dhe shembet në banalitet nëse nuk mbështetet në ëndrra.”
Kush është qytetar europian? Sipas Zagajewski-t, qytetar europian është ai që beson tek Europa; që e kujton pjesën madhështore dhe të tmerrshme të historisë europiane; që nuk vuan nga mendjemadhësia dhe arroganca; që i respekton arritjet e iluminizmit, pa e harruar mesjetën; që e di se Europa ka nevojë për mendimin analitik, por edhe për lutjet, shkencat ekzakte dhe muzikën; që nuk është shumë optimist për të ardhmen e politikës së jashtme europiane; që i adhuron peizazhet europiane dhe zogjtë, të cilët këndojnë në ekstazë gjatë çdo pranvere, në çdo qytet e qytezë, nga Portugalia deri në Ukrainë. Qytetari europian, nëse vjen nga “Europa e vjetër dhe e pasur”, nuk mban qëndrim patronizues ndaj europianëve “të rinj” dhe më të varfër, ndërkaq nëse vjen nga Europa “e re”, duhet të jetë i vetëdijshëm se, përveç privilegjeve, ka edhe përgjegjësi. Qytetari europian, vazhdon ai, është ai që lexon poezi (ose filozofi, teologji, romane serioze, histori dhe dëgjon muzikë). Dhe ai duhet të lexojë poezi, sepse “demokracia ka nevojë për ndihmë, për një zë që vjen nga një shtresë më e thellë e realitetit”.
Adam Zagajewski nuk e humbi optimizmin për të ardhmen e Europës. Ai besoi se Europa ka diçka që është më shumë se struktura dhe legjislacioni i BE-së. Kjo është Europa që “jeton në rrugët e ngushta të qyteteve të vjetra dhe në mendjet e njerëzve”.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.