Eurointegrimet në vendnumëro: Përplasje politike për rolin e Kuvendit dhe të ardhmen drejt BE-së

Ngecja e Maqedonisë së Veriut në rrugën eurointegruese u vu në qendër të debatit nacional për rolin e Kuvendit në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian, raporton Portalb.mk.

Kreu i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe thotë se me këtë qeveri eurointegrimet janë ndalur, të rinjtë po emigrojnë dhe po marrin pasaporta bullgare, ai thotë se me politikat që po ndjek kjo qeveri po tregohet qartë se nuk dëshirohet që shteti të ecë përpara drejt Evropës, sepse nuk dëshiron kontroll nga institucionet evropiane.

“Për fat të keq e vërteta është zhgënjyese, mos prisni asgjë nga rruga evropiane. Dhe këtë nuk e them unë, e thotë kryeministri Hristijan Mickoski. Njeriu thotë, nëse duhet, do të presim dekada për Evropën. Çfarë mund të presim pas një deklarate kaq eksplicite në publik se kjo qeveri nuk do të bëjë asnjë hap”, tha Filipçe.

Eli Panova, deputete nga VMRODPMNE në pushtet, e kritikoi paraqitjen e Filipçes dhe e vlerësoi si fjalim politik. Sipas saj, faktorët politikë duhet të arrijnë konsensus për interesat kombëtare.

“Ndërtimi i konsensusit nacional kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm. Konsensusi nacional nënkupton edhe konsensus për interesat tona kombëtare”, tha Panova.

Ish-ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani nga BDI pati kritika ndaj politikave të rrugës eurointegruese të vendit. Ai tha se e ardhmja e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian është e zbehtë.

“Këtu te ne Bashkimi Evropian ose Brukseli është shndërruar në instrument për politikë ditore në vend që parlamenti të përdoret si instrument për anëtarësim në BE. Situata për fat të keq është e tillë, nuk ka vullnet për integrim në BE, nuk ka presion të mjaftueshëm për shkak të dinamikave të tjera për të cilat mund të flasim, por perspektiva është e zbehtë”, tha Osmani.

Ish-sekretarja e përgjithshme e Kuvendit – Cvetanka Ivanova tha se edhe vetë organi ligjvënës ka detyrimin të miratojë ligje që do ta çojnë vendin drejt Bashkimit Evropian, por siç theksoi ajo, një proces i tillë nuk po shihet.

“Zëri i qytetarëve në Kuvend: Debat nacional për rolin e Kuvendit në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian”. Foto: Kuvendi i RMV-së
“Zëri i qytetarëve në Kuvend: Debat nacional për rolin e Kuvendit në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian”. Foto: Kuvendi i RMV-së

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.