Është zbuluar një grup kriminal që vepronte në Maqedoni, Greqi dhe Spanjë
Një grup kriminal i organizuar, i cili vepronte në vend, por edhe në disa shtete evropiane, është shkatërruar ditëve të fundit në një aksion të madh policor, informoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Aksioni është zhvilluar në Prilep, ku gjatë ditës së djeshme janë kryer rreth 30 bastisje, ndërsa për 21 persona po përgatiten kallëzime penale, të cilat do të procedohen gjatë ditës së sotme, transmeton Portalb.mk.
Sipas Toshkovskit, ekzistojnë dyshime se një pjesë e grupit gjatë periudhës së kaluar ka vepruar edhe në territorin e Greqisë, ku janë kryer disa vepra penale, ndër të cilat edhe vjedhje të rënda, ndërsa një pjesë e grupit ka vepruar edhe në Spanjë. Njëri nga personat, i cili ishte në arrest shtëpiak në Spanjë dhe prej aty ishte arratisur, tani është siguruar nga policia e Maqedonisë dhe është proceduar në përputhje me ligjin.
Toshkovski informoi se aksioni kundër grupit të organizuar kriminal, nën koordinimin e Prokurorisë Publike, ka zgjatur më shumë se një vit. Në kuadër të hetimit ekzistojnë dyshime edhe se veprime të caktuara kriminale janë ndihmuar nga zyrtarë policorë, të cilët kanë ndarë informacione me anëtarët e grupit. Për këtë arsye, gjatë aksionit janë kryer edhe disa bastisje te zyrtarë policorë për të cilët ekziston dyshimi se kanë bashkëpunuar me disa nga të dyshuarit.
Toshkovski informoi gjithashtu se një anëtar i familjes së ngushtë të njërit prej të dyshuarve, para disa muajsh ishte arrestuar nga policia franceze, pasi në një bunker në automjetin e tij ishin gjetur 10 kilogramë kokainë, e cila, sipas informacioneve të bëra publike nga ministri, kishte për qëllim të sillej në Maqedoni.
Gjatë bastisjeve të djeshme janë gjetur edhe para të gatshme në vlerë prej mbi 120.000 eurosh, ndërsa janë sekuestruar edhe rreth dhjetë automjete, mes tyre dy “Maserati” dhe dy automjete luksoze “Land Rover”. Për njërin prej automjeteve ekzistojnë dyshime të bazuara se është i lidhur me dokumentacion të falsifikuar.
“Qëllimi i këtij hetimi nuk është vetëm të dokumentojmë, evidentojmë dhe procedojmë veprën penale të kryer nga autorët, për të cilën gjatë vitit të kaluar kemi mbledhur materiale dëshmuese, por qëllimi është që gjithçka që është krijuar si pasojë e veprave penale të sekuestrohet dhe të vihet në funksion të shtetit”, theksoi Toshkovski.
Ai theksoi se ekzistojnë dyshime edhe për pastrim parash, përkatësisht se të ardhurat e përfituara nga aktivitetet kriminale janë futur në qarkullimin juridik në Maqedoni dhe jashtë vendit. Hetimi disponon edhe një gjurmë të lidhur me blerjen dhe shitjen e një prone në Serbinë fqinje.