Është rrëzuar qeveria holandeze pas përplasjes për politikën e migracionit
Koalicioni qeverisës në Holandë u rrëzua të martën pasi Geert Wilders, lideri i ekstremit të djathtë dhe kreu i Partisë për Liri (PVV), vendosi të tërhiqte partinë e tij nga qeveria për shkak të mosmarrëveshjeve të thella mbi politikën e migracionit, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Wilders, i cili doli fitues në zgjedhjet e nëntorit 2023 dhe udhëheq partinë më të madhe në parlament, kishte paralajmëruar që në fund të majit se do të shkaktonte rënien e qeverisë nëse nuk zbatohej brenda disa javësh plani i tij dhjetë pikësh për kufizimin e imigracionit.
Plani i Wilders përfshinte mbylljen e kufijve për azilkërkuesit, ndalimin e bashkimit familjar për refugjatët e njohur, mbylljen e qendrave të azilit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe dëbimin e shtetasve me nënshtetësi të dyfishtë që janë dënuar për vepra penale.
Megjithatë, një numër ekspertësh politikë dhe ligjorë e cilësuan këtë plan si të pazbatueshëm dhe të paligjshëm, ndërsa disa vlerësuan se Wilders e kishte krijuar vetë krizën me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.
Ai theksoi se kishte hyrë në koalicion për të realizuar politikën më të ashpër për azilin dhe jo për “rrënimin e Holandës”.
Tërheqja e PVV-së i jep fund një qeverisjeje që nga fillimi ishte e brishtë dhe pritet të çojë në zgjedhje të parakohshme, duke futur vendin në një periudhë të re pasigurie politike.
Në të gjithë Evropën forcat e ekstremit të djathë po përjetojnë rritje, ndërsa Holanda përgatitet të presë një samit të rëndësishëm të NATO-s.