Është ngrirë anëtarësia e Merkos në BDI, pasi u shpall “non grata” nga SHBA

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, rreth qëndrimit të partisë për vendimin e State Departamentit të Amerikës (DASH) në lidhje me kryetarin e Strugës, Ramiz Merko, tha se i respekton qëndrimet e SHBA-së dhe vlerëson se janë me qëllim të mirë. Sipas tij, çdo sukses në këtë shtet e mban vulën e SHBA-së, njofton Portalb.mk.

“BDI ka qëndrime të qarta në lidhje me sundimin e së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit dhe qëndrimet e tilla janë transformuar në vendime në parti”, tha Osmani.

“Fillimisht, BDI kërkon nga institucionet menjëherë të fillojë me hetim gjithëpërfshirës për pretendimet dhe informatat e mundshme për Merkon të cilat dalin nga vendimi i Uashingtonit. BDI e pranon vendimin e Merkos për ngrirje të anëtarësisë në organet udhëheqëse të partisë. Si e treta, BDI e pezullon aktivitetin partiak në Komunën e Strugës derisa nuk krijohen kushte për atë. Gjithashtu, partia i fton të gjithë organet hetuese në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar të fillojnë hetim për të gjitha partitë, nga kryetarët deri te eshalonët më të ulëta”, tha Osmani.

Zëdhënësi i BDI-së tha se kryetari i Strugës personalisht ka kërkuar që të ngrihet anëtarësia në organet udhëheqëse të partisë dhe për momentin nuk është tërësisht i larguar.

“Ai më nuk është anëtar i Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të partisë derisa zgjat hetimi”, tha Osmani.

20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramiz Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim, thuhet më tej në njoftim, dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre përfundon njoftimi i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Gjatë ditës së djeshme, koordinatori për antikorrupsion në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew, në një intervistë për redaksinë shqiptare të “Zërit të Amerikës” tha se nuk mund të ndahen më shumë detaje se pse Merko është futur në listën e zezë amerikane. Vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se Merko ishte i përfshirë në korrupsion masiv. Dhe kështu sipas ligjeve, kur sekretari vjen në atë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.