Eqrem Basha: Baladë për njeriun që nuk e njihte bota

BALADË PËR NJERIUN QË NUK E NJIHTE BOTA

mëngjes për mëngjes botës i drejtonte letra

në adresa të imagjinuara me imazhe të paqarta

dhe i ngjiste mbi to pullat e vuajtjes së vet

njeriu që nuk e njihte bota

 

binte e ngrihej duke u prezantuar

me duar përpjetë thërriste idhujt e vet

endej stacioneve ‑ priste miq që s’i vinin

njeriut që nuk e njihte bota

 

çdo ditë me të ngrysur para portës

priste postierin t’i kthente përgjigjet

e letërkëmbimit me ikset e botës së largët

njeriu që nuk e njihte bota

 

mesazh pas mesazhi ‑ fjalë e porosi

mbi makinën e tij kurrë skrramë pluhuri

as merimangat s’qetësoheshin në dhomën

e njeriut që nuk e njihte bota

 

dhe një ditë iu sos jeta ‑ nuk kishte më ngjyrë

iu tha bishtpena ‑ s’i rrihte makina

‑ kush është ky fatzi thanë kur e gjetën

njeriun që nuk e njihte bota

 

e varrosi ndërmarrja për punë funerale

e vuri në varr me një rrasë përsipër

në adresën e tij erdh letra e vetme

fatura e varrimit

të njeriut që nuk e njihte bota

 

(Atleti i ëndrrave të bardha, Rilindja, Prishtinë, 1982)

Autor i poezisë është Eqrem Basha poet, tregimtar, romansier.

Ka lindur në Dibër. Ka studiuar gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Një kohë ka punuar gazetar, pastaj redaktor në Televizionin e Prishtinës.

Basha është një nga themeluesit e shtëpisë botuese “Dukagjini” nga Peja. Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ka botuar 10 libra me poezi, pesë me tregime dhe katër romane, ka shkruar skenarë filmi e televizioni. Ka përkthyer nga frëngjishtja (Malraux, Sartre, Camus, Beckett, Ionesco, Lévi-Strauss, etj.)  italishtja (Ungaretti) dhe gjuhët sllave. Më 1999 Fayard  botoi një libër me tregime të zgjedhura në frëngjisht, më 2018 Non Lieu romanin e tij Lakorja e Ik’sit. Përmbledhje me poezi janë botuar në frëngjisht (Voix d’encre), polonisht (Pogranitze), anglisht (Gjonleka, Nju Jork), serbisht dhe esperanto. Tregimet dhe esetë janë prezantuar në revista e antologji në Europë e SHBA, poezia është përkthyer në shumicën e gjuhëve evropiane, por dhe në arabisht, hebraisht, japonisht, vietnamisht, etj. Jeton në Prishtinë.