Në Prishtinë u hap Panairi Ndërkombëtar i Turizmit

Në Prishtinë është hapur edicioni i tretë i Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2024” i cili zgjat për dy ditë me radhë, raporton Anadolu.

Ky panair në të cilin po marrin pjesë mbi 300 kompani nga më shumë se 15 shtete, po mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytetin kosovar. Panairi i organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës dhe nën patronatin e Komunës së Prishtinës do të ofrojë edhe oferta turistike me zbritje për qytetarët.

Drejtori ekzekutiv i Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti tha se përfundimi i vitit 2023 ishte me një rritje me mbi 28.4 për qind të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë që e vizituan Kosovën dhe ky trend po vazhdon.

“Nëse e krahasojmë janarin e vitit 2024 me janarin e vitit 2023 kemi mbi 50.8 për qind rritje të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë të cilët po e vizitojnë Kosovën. Pra, tashmë Kosova nuk është vetëm një vend transit për vizitorët, por është një vend ku vizitorët po qëndrojnë dy, tre e katër ditë dhe po bëhet çdo ditë më atraktive, falë potencialeve të cilat i ka dhe angazhimit të aktorëve”, theksoi Hoti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se në këtë panair po marrin pjesë pjesëmarrës nga vendet fqinje me Kosovën por edhe nga Turqia, Japonia, Bullgaria, Malta e të tjerë.

“Ky panair ndërkombëtar i turizmit shërben si një qëllim jetik për kryeqytetin dhe në qendër të vëmendjes vë potencialin e madh dhe të gjerë që ka Kosova, sikurse një destinacion turistik i pasur me kulturë, me histori, bukuri natyrore mbresëlënëse”, theksoi Rama.

Ai shtoi se ky panair nxitë bashkëpunimin mes subjekteve turistike në rajon.

Gjatë kohës së panairit me 12 dhe 13 prill, qytetarët do të mund të përfitojnë zbritje 20 për qind në ofertat turistike si dhe të fitojnë shpërblime si bileta të aeroplanit, akomodime në hotele të ndryshme, aranzhmane turistike, shëtitje turistike, darkë për çifte, e shumë dhurata të tjera.