‘Epope Intime’ triumfoi në Çmimin e Madh të Letërsisë, Enit Karafili: Tabutë shoqërore janë relative
Në një kohë kur letërsia shpesh kalon pa zhurmë, Enit Karafili arriti të bëjë të kundërtën: të trazojë, të sfidojë dhe të ngrejë pyetje që shumëkush i shmanget. Fituesja e Çmimit të Madh të Letërsisë 2024, për romanin “Epope intime” (Botimet Pegi), vjen me një vepër që prek identitetin, migrimin dhe thyerjen e tabuve. Në një bisedë për Portalb.mk, Karafili foli për frymëzimin, dhimbjen dhe guximin pas romanit, për shqiptarët jashtë atdheut dhe për atë që shpesh nuk thuhet me zë të lartë: betejën intime që secili e mban brenda vetes.
Portalb.mk: Çmimi i Madh i Letërsisë i shkoi ‘Epope intime’, pse pikërisht ky roman, çfarë tronditi, çfarë preku, çfarë guxoi?
Enit Karafili Steiner: Edhe unë do doja ta dija më në detaj se përse juria përzgjodhi këtë roman prej pesë titujve finalistë. Me sa kuptova prej laudatios dhe komenteve personale të anëtareve të jurisë, u vlerësua gërshetimi temë-stil. Tema e tranzicionit shqiptar për brezin, i cili i ktheu krahët vendit ose u shty prej prindërve të tronditur nga pasiguria, ndërsa vetë ai brez dilte në jetë. Këta të rinj, adoleshentë një pjesë e madhe, përballeshin me imperativën e një emancipimi të dyfishtë. Krahas kohështrirjes së rrëfimit përgjatë 18 vjetësh, them këta elementë prekën nervin, apo mbushën një boshllëk në letrat shqipe.
Portalb.mk: Kur shkruat “Epope intime”, a flisni për një personazh apo po flisni për vetë shqiptarin e sotëm që ka humbur rrugën mes identitetit dhe mbijetesës?
Enit Karafili Steiner: Personazhet në roman nuk janë stampa të një shqiptarie abstrakte. Ndaj, shqiptarë të ndryshëm do të gjejnë shëmbëlltyra betejash të humbura e të fituara në këtë libër, çdo lexues të vetat. Në fakt, shtysa ime nuk qe të regjistroja humbjet e fitoret, por përballjet dhe negociatat, të cilat herë i zgjedhim, herë janë krejt rrethanore. S’ka jetë pa gjakime. Thjesht, doja të prekja disa prej tyre, e t’i shtjelloja në kornizën historike të brezit tim.

Portalb.mk: Romani juaj sfidon tabutë kulturore, cila është e vërteta më e madhe që shoqëria jonë i frikësohet ta dëgjojë por që ju e keni shkruar pa kompromis?
Enit Karafili Steiner: Pyetje e madhe kjo… Nuk e di nëse kam shkruar për të vërtetën supreme që tremb shoqërinë tonë. Mendoj se libri vetëm sugjeron këndvështrime. Për shembull, që tabutë shoqërore janë relative, produkte të komuniteteve njerëzore dhe variojnë nga një shoqëri, etni, gjeografi në tjetrën. Dhe që ekziston një mentalitet, i cili ka frikë të pranojë se, edhe nëse ca tabu thyhen, të tjerë tabu ngrihen. Tabutë, unë i perceptoj, të paevitueshme ashtu si ndjenjën e fajësisë.
Portalb.mk: Në këtë vepër, përkatësia duket si një plagë që nuk mbyllet, a mendoni se shqiptarët sot jetojnë më shumë me “komplekse identitare” sesa me identitet të qartë?
Enit Karafili Steiner: Shumë shqiptarë jetojnë me plagë specifike që vijnë prej të qenurit subjekte të një historie kombëtare plot dhunë e shtypje, të një rrokopuje etnike. Në botën tonë, në atë më intime, që s’arrijmë ta artikulojmë krye e fund, është shkruar historia dhe kemi shkruar histori. Plus, jetojmë në një epokë kur ujërat identitarë janë turbulluar dhe jo vetëm për shqiptarët.
Portalb.mk: Migrimi te shqiptarët shpesh shihet si “shpëtim”, ju si e shihni si shpëtim, humbje, apo një formë ndëshkimi për ata që nuk gjetën drejtësi në vendin e tyre?
Enit Karafili Steiner: Migrimin, jo të çdo shqiptari sigurisht, e kam parë si ekzil. (Dhe ndoshta, sepse në kulturën romake ekzili, zakonisht masë politike, lidhet me ndëshkimin). Po dyshoj se duhen futur të gjitha format e migracionit shqiptar në një kallëp të ngurtë. Nuancat kanë rëndësi, ato na bëjnë individë. Ka kush emigroi me shpresën për një alternativë më të mirë; të tjerë e morën me sportivitet dhe shpirt aventure; ca të tjerë me ndjesi fatkeqësie deri në mallkim. Ka edhe shumë prej dikur të ikurve që kanë zgjedhur të rikthehen në vendlindje. Librat e mi në shqip – Tokëmjalta, Dhunë e dhunti dhe ky i fundit – trajtojnë disa skenarë të migracionit shqiptar. Prandaj, këta të tre i konsideroj trilogji tematike.
Portalb.mk: A është “Epope intime” roman që e çliron lexuesin nga frika e gjykimit apo e detyron të përballet me turpet që i ka trashëguar?
Enit Karafili Steiner: Mund t’i ketë të dyja efektet. Këtu nis ndërveprimi, në mos përgjegjësia e lexueses, lexuesit. Kam besim se e vërteta na kthjellon, por edhe duhet të jemi gati, duhet të jetë pjekur përjetimi ynë, për ta përballuar të vërtetën. Mbase letërsia na ndihmon, na maturon në këtë proces.
Portalb.mk: Si autore, a ju ka kushtuar personalisht ky roman, a keni pasur momente kur keni ndjerë se po rrezikoni shumë duke shkruar atë që “nuk thuhet”?
Enit Karafili Steiner: Procesi i shkrimit më ka dhënë ku e ku më shumë se sa më ka kushtuar. Më ka mbajtur në praninë e shqipes. S’kam pasur fort drojë të shkruaj atë që nuk thuhet, sepse, po të arrija t’i përcillja personazhet si njerëz prej mishi, jo kartoni, si njerëz që përçapen me sa munden të kuptojnë ç’po ju ndodh edhe kur e zhgënjejnë njëri-tjetrin, ajo që “nuk thuhet” nuk e pret lexuesin, lexuesen në besë. Frika ngrinte kokë kur dyshoja se imagjinata dhe shqipja ime do t’i përcillte personazhet dhe rrethanat historike të tilla.
Portalb.mk: Keni ndjesinë se shoqëria shqiptare i shtyn njerëzit të jetojnë dy jetë: një për publikun dhe një për veten, aa është kjo arsyeja pse e quani “epope intime”?
Enit Karafili Steiner: Shoqëria perëndimore më duket e polarizuar tejet prej ndarjes së individit në qenie private dhe publike. Nuk ka ngastër të jetës e mendësi që të mos preket nga kjo ndarje. Po, kam dashur përmes titullit t’i integroj këto dy sfera që ne i përjetojmë si dy trysni kontradiktore njëkohësisht; madje të sugjeroj se historiografia (kulturore a politike) e një epoke vuan kur shkruhet vetëm me zërat e Akilëve dhe Agamemnonëve të radhës. Ajo kërkon edhe një historiografi horizontale të vatrës familjare, fisit, miqësive, prindërimit, etj., etj.
Portalb.mk: Çmimi i Madh i Letërsisë është një nder i madh. Por a mendoni se ky çmim është edhe një “provë”: tani publiku pret që ju të jeni edhe më e guximshme, edhe më tronditëse?
Enit Karafili Steiner: Para se të më bëhej ky nder, as që s’guxoja ta imagjinoja. Po, më vë para pritshmërish të pashmangshme. Mirëpo, s’dua ta lejoj të bëhet paralizuese kjo ndjenjë sprove. Si Pilati në Ungjill, i them vetes: të paktën, “Atë që kam shkruar, e kam shkruar”. Dhëntë Zoti shëndet e dhunti për më tutje.
Portalb.mk: Nëse një i ri shqiptar jashtë atdheut e lexon këtë roman, çfarë do të donit të ndjejë në fund: krenari, dhimbje, revoltë apo një arsye për t’u kthyer?
Enit Karafili Steiner: Që ky libër ta përfshijë, t’i ripërtërijë kontaktin me histori shqiptarësh me H të madhe e të vogël. Ta depërtojë si një këngë, e në refrenin e saj të dëgjojë shqipen, që i thotë me njëfarë pavarësie: “mos më harro, ti je imja dhe unë jotja”. Pastaj, sipas zërit të ndërgjegjes që pëshpërit brenda nesh, çdo formë atdhetarie është e mundshme. Boll t’i kthejmë sytë drejt shqiptarëve në trojet e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, etj., dhe kemi ku të frymëzohemi.