Epoka e skajshmërive: Nga rendi drejt kaosit të ri botëror (II)

 Disa autorë thonë se epoka e rendit botëror ka përfunduar dhe se jemi duke jetuar në  kohën e sistemit të policit botëror, të „çrregullimin e ri botëror“ (new world disorder), kurse nëpunësi i CIA-s Richard Falk gjendjen aktuale të botës e jep përmes shprehjes „fashizmi global“. (shih: Vukadinović, 2004:68-75) Në këtë drejtim vërtetohet konstatimi i Buchanan (2002) se “të bardhët e varfër po zhvendosen djathtas” dhe se “kapitalisti global dhe konservatori i vërtetë janë si Kaini dhe Abeli.”  “America First“, ikonoklazma, përplasja dhe anti-ndërkombëtarizmit universalist janë fjalët kyç të gjendjes apo tabelës së re të shahut.

Çrregullimi i ri botëror (new world disorder) është jendje e krijuar pas mbetjes së SHBA si fuqi e vetme botërore (polic botëror ose sherif ndërkombëtar) që sipas Robert Kaganit nuk beson në ekzistimin e “paqes së përhershme” dhe problemet në nivel botëror mundohen t’i zgjidhin përmes forcës të cilën e zotëron. Për SHBA bota duket si një botë anarkike hobbesiane, ku askush s’mund të mbështetet në të drejtën ndërkombëtare dhe ku rendi liberal varet nga posedimi dhe shfrytëzimi i forcës. Gjendje ku bota ndahet në miq dhe armiq, ku lufta është përcaktuese e marrëdhënieve ndërkombëtare. Këtë gjendje, të cilën Richard Falk e quan “fashizëm global”, në mënyrë mjaft interesante e përshkruan Gilbert Achcar, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, në veprën e tij  Konflikti mes barbarëve: 11 Shtatori dhe çregullimi i ri botëror (2002). Për të njëjtën temë ka shkruar edhe Benedict Andersoni, qysh në vitin 1992 në New Left Review (I/193). J. Carroll çrregullimin e ri botëror e ndërlidh me Bushët, duke shtuar se SHBA asnjëherë s’kanë qenë kaq të izoluara, se dinakëria ia ka humbur kredibilitetin këtij vendi si brenda ashtu edhe jashtë, se ky çrregullim po përhapet anekënd botës, nga Washingtoni në Izrael, nga Haiti në Spanjë e gjetkë. Sipas tij, në atmosferën e çrregullimit të ri botëror, Amerika është bërë komb i lirisë triumfuese, që pretendon të drejtën për t’ua kufizuar lirinë të tjerëve, nga një komb balancë e strukturuar e fuqisë janë shndërruar në fuqi që shkatërron balancën jashtë, nga një komb i ndërmarrjeve kijuese në komb që eksporton banalitet, dhe para së gjithash në një forcë që pasqyron mosrespektimin e të vërtetës. Bruce Sterlingu, i cili pohon se Rendi i Ri Botëror i shpallur në Luftën e Parë të Gjirit ka vdekur në Luftën e Dytë të Gjirit, pasi flet për globalizimin e problemeve, thotë se nëse SHBA e humbin luftën në Irak, bota do të shkojë drejt humnerës, do të shndërrohet në një gropë të paligj, në një hapësirë ku “qeni ha qenin” (dog-eat-dog mayhem). Për të ndërtuar një botë që do të gjenerojë paqe, ai shënon katër faktorë të rëndësishëm: multilateralët globalë që përfshijnë diplomatët e të gjitha kombeve të botës, konventat dhe traktatet ndërkombëtare, samitet, koalicionet e gatshme (G8, Grupi 20, Grupi 77+Kina) dhe samitet ndërkombëtare (samiti i Rios, Rio Plus Five, Samiti i Kairos për popullimin etj).

Si përfundim mund të thuhet se jemi në një gjendje të dominimit të liderëve që drejtpërdrejt iu drejtohen masave tradicionale, duke anashkaluar elitat liberale, urbane dhe kozmopolite, të cilat shihen si të shkëputura nga identiteti kombëtar. Teza e kontekstit të dekadës së tretë të shek. XXI është se “nuk ka një sistem unik dhe as një grup rregullash të pranuara nga të gjithë.” Dominique Moisi (2020) nga Instituti Montaigne thotë se trumpi(zmi) është simptom i “demokracisë së sëmurë amerikane” (diseased American democracy), Kennicott e quan sëmundje të “mënyrës së jetesës” (lifestyle disease), Manfredi (2025) flet për “Tripple D” (Deregulation, Deglobalisation, and Disorder), kurse Becket  për “politikën e fantazisë” (fantasy politics). Me një fjalë, bota është në ethe dhe para shumë pikëpyetjeve lidhur me të ardhmen e vet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.