EPIDEMIA E FJALAMANISË

Askush askënd nuk e dëgjon. Të gjithë flasin përnjëherësh. Secili mendon se çfarë do të thotë dhe nuk e dëgjon tjetrin se çfarë është duke thënë.

Kjo është mënyra e “komunikimit” në media. Sa më shumë zhurmë, fyerje, rrëmujë dhe cektësi mendore, aq më shumë shikueshmëri. Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë reklama. Sa më shumë reklama, aq më shumë para. Despotja shikueshmëri e ka mposhtur sojlien cilësi.

Ky “komunikim” është bërë epidemi. Në media shfaqen gjithnjë e më pak ekspertë e mendimtarë dhe kemi inflacion analistësh që e argëtojnë ose e nervozojnë grigjën.

Kur shikon kësi emisionesh, të kujtohen vargjet nga Iliada për kulturën e debatit: “Është punë e bukur t’i mbash vesh ligjëruesit, / dhe hije s’ka që në gojë t’ia presësh fjalën, / pse fillin humb edhe gojëtari i njohur. / Kush dëgjon dot mes zhurmës e rrëmujës? / Këto e mbytin edhe zërin sado të fuqishëm.”

Epidemia e fjalamanisë ishte e pranishme edhe para se të shpikej interneti. Për këtë epidemi shkroi edhe poeti Musa Ramadani. Nëpërmjet poezisë “Epidemia e quajtur Demosteniana”, nga përmbledhja Nostalgji antike (1990), ai e ironizoi demagogjinë dhe fjalamaninë.

“Kaluan ditë, vjet e shekuj paluar në kalendar / Demosteni u harrua, u zhduk, sesi humbi. / Po sëmundja e tij u përhap nëpër botë / Demosteniana u shumëzua deri në shekullin XX / E gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë / Njerëzia mbyllin veshët nga fjalamania / Demostenët e kohës i flasin njëri – tjetrit…”

Është koha e “vipave” që rrëfejnë me njëqind fjalë për veshjet, ushqimet, restorantet, vendpushimet, shëtitjet, ahengjet, si flenë, si zgjohen, si luajnë me fëmijët e tyre gjenialë. Kohë televizive e humbur kot për ata që s’duan t’i takojnë qytetërimit të banalitetit.

Mbase nuk i shkon temës, por m’u kujtua Milan Kundera, i cili tha se budallallëku i njerëzve vjen nga të pasurit përgjigje për gjithçka; se njerëzit në ditët e sotme më shumë preferojnë të gjykojnë se të kuptojnë; më shumë duan të përgjigjen se të pyesin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.