Emocione, përplasje artistike dhe surpriza që shpërthyen skenën në natën e dytë të Festivalit të Këngës në RTSH

Mbrëmë u mbajt nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTSH, kjo mbrëmje solli në skenë një garë të fortë muzikore mes artistëve pjesëmarrës, duke shpalosur stile të ndryshme, interpretime të veçanta dhe nivel të lartë profesionalizmi. Përveç rivalitetit artistik, nata u karakterizua edhe nga surprizat skenike, të cilat i dhanë festivalit një dimension emocional dhe spektakolar, duke mbajtur gjallë vëmendjen e publikut gjatë gjithë mbrëmjes, shkruan Portalb.mk.

Tenori Ramë Lahaj, kryetar i jurisë së Festivalit të Këngës në RTSH dhe një nga emrat më të vlerësuar të skenës operistike shqiptare, i dhuroi publikut një interpretim të jashtëzakonshëm në kuadër të këtij edicioni të festivalit. I shoqëruar live nga Orkestra e RTSH-së, tenori interpretoi dy këngë të dashura për publikun shqiptar, “Shiu i Verës” dhe “Vetë ke mbet”. Harmonia e krijuar mes zërit të tij dhe orkestrës solli një performancë të nivelit të lartë artistik, e cila u prit me duartrokitje të gjata dhe emocione të forta nga salla.

Artistja Gala Dragot, e ftuar speciale, pushtoi skenën me performancën autentike të këngës së saj “Femcel Anthem”. Me një zë modern që solli një atmosferë melankolike, ajo ndau me publikun zanafillën e këtij krijimi: “Kënga ka lindur nga një periudhë vetmie. Isha kaq e vetmuar sa fillova të ëndërroj për një mashkull ideal që nuk ekziston”.

Aktori Salsano Rrapi solli një monolog reflektues, duke i kërkuar publikut vlerësim për mjekët, gjyqtarët e ndershëm dhe gratë. Përmes batutave ai nxori në pah sakrificat e padukshme të këtyre profesioneve, si mjekun që lë sallën për një urgjencë apo gjyqtarin që kthehet pa mbrojtje në shtëpi pas dënimit të kriminelëve.

Sonte, skena e Fest 64 hap perden e natës së tretë, një mbrëmje ku koha duket se ndalet për t’i lënë vend muzikës. Në këtë natë të tretë të Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH, do të vijnë për publikun këngë që kanë bërë historinë, të riorkestruara me frymë moderne nga dirigjentët Kapedani, Qinami dhe Ademaj.

Organizatorët kanë bërë të ditur mekanizmin që do të përcaktojë rrugëtimin e artistëve drejt natës finale. Nga 28 emra që nisën këtë udhëtim muzikor, vetëm 23 prej tyre do të vijojnë më tej. Finalja do të ndërtohet mbi 5 vende për kategorinë “Debutues” dhe 18 vende për kategorinë “Big”, duke sjellë një përzgjedhje që synon të përfaqësojë më të mirën e skenës muzikore shqiptare.

Për të garantuar transparencë, fituesi do të përcaktohet nga formula 50% votat e jurisë dhe 50% votat e publikut përmes SMS-ve.