Ekspozita “Klithma e Heshtjes” bashkoi shqiptarët përtej kufijve

Të shtunën mbrëma në Galerinë e Arteve “Oda” në Shkodër, u hap ekspozita ”Klithma e Heshtjes”. Kultura shqiptare përtej kufirit u bë bashkë në ekspozitën e skulptorit Fatlon Ibishi nga Tetova dhe piktores Kaltrina Hoti nga Plava, të cilët prezantuan punimet e tyre. Për skulptorin Fatlon Ibishi, skulptura është një dëshmi e emocioneve të tij më të thella, një formë arti që prek dhe komunikon me audiencën përmes formave të gdhendura në materie, transmeton Portalb.mk.

Fatlon Ibishi për Portalb.mk tha se çdo vepër është një reflektim i ndjenjave universale që kalojnë kufijtë kulturorë dhe gjeografikë.

“Në ekspozitën, “Klithma e heshtjes”, kemi paraqitur një cikël veprash që eksplorojnë shqetësimet emocionale ndërkombëtare. Përmes skulpturave dhe pikturave, kemi sjellë emocione të thella dhe të pashprehura-dhimbjen, ankthin, forcën dhe heshtjen që shpesh mbartim brenda nesh. Në këtë ekspozitë kam paraqitur katër skulptura të cilat, formojnë një dialog të fortë vizual mbi shqetësimet emocionale ndërkombëtare. Çdo vepër është një reflektim i ndjenjave universale që kalojnë kufijtë kulturorë dhe gjeografikë”, tha Ibishi.

Fotografi nga veprat e skultptorit Fatlon Ibishi. Foto: Fatlon Ibishi
Fotografi nga veprat e skultptorit Fatlon Ibishi. Foto: Fatlon Ibishi

Ai theksoi se “Klithma e Heshtjes” u prit me shumë interes nga publiku pjesëmarrës.

“Publiku e mirëpriti ekspozitën “Klithma e Heshtjes” me shumë interes dhe emocion. Shumë vizitorë u ndalën për të reflektuar mbi veprat dhe ndanë përvojat e tyre personale, duke treguar se tematika e shqetësimeve emocionale ndërkombëtare i prekte në nivele të ndryshme. Dhe kjo ishte një dëshmi e fuqisë së artit për të krijuar një dialog të thellë dhe për të sjellë ndërgjegjësim mbi emocionet që shpesh qëndrojnë në hije”, tha Ibishi.

Pamje nga ekspozita “Klithma e Heshtjes”. Foto: Fatlon Ibishi
Pamje nga ekspozita “Klithma e Heshtjes”. Foto: Fatlon Ibishi

Ibishi gjithashtu foli për mesazhet që i përçon çdo punim.

“Çdo pikturë pasqyron momente të ndryshme të përvojës emocionale si-trishtimi, ankthi, izolimi, por edhe forca dhe qëndrueshmëria njerëzore Kjo ndërthurje në këtë ekspozitë mes pikturës dhe skulpturës krijoj një përvojë të fuqishme për publikun, duke e ftuar atë në një reflektim më të thellë mbi emocionet universal”, tha Ibishi.

Për sa kohë do qëndron e hapur kjo ekspozitë Ibishi deklaroi, ”Ekspozita “Klithma në heshtje” do të qëndrojë e hapur për dy javë, duke i dhënë publikut mundësinë të eksplorojë dhe të reflektojë mbi veprat e paraqitura. Kjo kohë na lejon të krijojmë një lidhje më të thellë me vizitorët dhe t’u ofrojmë atyre hapësirën e nevojshme për të përjetuar dhe interpretuar mesazhet emocionale që përcjellim përmes artit tonë”.

Ekspozita “Klithma e Heshtur” tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të shumtë, me këtë dëshmohet se arti nuk njeh kufij, arti përçon vetëm ndjenja dhe mesazhe që mbeten të përjetshme.