Edhe pas Samitit të Grenadës – vazhdon pasiguria për zgjerimin dhe reformimin e BE-së

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Vazhdon pasiguria mbi zgjerimin, por edhe në përgjithësi mbi reformat e BE-së, edhe pas Samitit të paralajmëruar fuqishëm të Këshillit të Evropës në Grenadë. Epilogu i këtij samiti vetëm na e përsërit mësimin se duhet të armatosemi me shumë më shumë durim dhe këmbëngulje sa u përket perspektivave evropiane; sepse nuk ka një zgjidhje “deus ex machina”, e cila përnjëherë do t’i zgjidhë të gjitha problemet.

  1. Ky samit e shënoi fillimin e diskutimit mbi agjendën e re strategjike të BE-së, të cilën shefat e shteteve dhe qeverive do të duhet ta miratojnë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ajo do të duhet të sigurojë një kalim dhe vazhdueshmëri ndërmjet përbërjes aktuale dhe asaj të ardhshme të zgjedhur të Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Pikat e fillimit të agjendës së re janë:

  • Forcimi i aftësisë mbrojtëse të BE-së;
  • Forcimi i rezistencës së BE-së dhe konkurrencës afatgjate;
  • Forcimi i partneriteteve globale.

Vihet re se nuk ka një theksim më të dukshëm të sundimit të së drejtës, e cila është prioriteti i parë i agjendës aktuale strategjike. Nga ana tjetër, sipas mbështetësve të mbrojtjes së mjedisit jetësor, për dallim nga agjenda aktuale ky propozim fillestar nuk i kushton vëmendje të mjaftueshme aksionit klimatik dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor. Sidoqoftë këto janë vetëm pika fillimi në strategjinë e re.

  1. Liderët nuk kanë arritur pajtueshmëri mbi migracionin, i cili thjesht nuk është në tekstin e Deklaratës së Grenadës. Për miratimin e paketës së ligjeve mbi migracionin nuk nevojitet konsensus dhe tashmë ekziston shumica e nevojshme e kualifikuar. Mirëpo, me rëndësi ishte që së bashku me Poloninë dhe Hungarinë, të cilat janë kundër kësaj pakete, të tregohet një minimum pajtueshmërie mbi drejtimet kyçe të politikës së migracionit, gjë që nuk u arrit.
  2. Pozitiv është që zgjerimi është edhe te agjenda edhe te Deklarata. Analiza e hollësishme e paragrafit mbi zgjerimin na bën të konstatojmë një kujdes edhe më të madh të shteteve anëtare mbi zgjerimin.
  • Mbetet si motiv gjeopolitik kyç mbi zgjerimin e ardhshëm, i cili shihet si një forcë lëvizëse për “avancimin e kushteve ekonomike dhe sociale për qytetarët e Evropës” dhe “zvogëlimin e dallimeve midis shteteve, por që duhet doemos t’i avancojë “vlerat mbi të cilat bazohet BE-ja”.
  • Me shumë kujdes është formuluar pikërisht paragrafi në lidhje me mundësitë e zgjerimit – se edhe BE-ja dhe vendet anëtare të ardhshme duhet të jenë të përgatitura sa u përket gjasave për Union të zgjeruar në mënyrë plotësuese. Nuk ka pasur pajtueshmëri për caktimin e çfarëdo date, e të përsërisim, deri tani flitet vetëm për datë kur të dy palët do të jenë të “gatshme për zgjerim”, e jo për një vit të caktuar të zgjerimit.
  • Në vend të parë është vendosur gatishmëria e nevojshme e kandidatëve, posaçërisht në aspekt të reformave te sundimi i së drejtës. Paralelisht, Unioni do ta zbatonte “punën dhe reformat e nevojshme përgatitore”.
  • Është dërguar mesazhi e nuk ka rrugë “të shkurtër”. Është theksuar afatgjatësia e procesit – BE-ja do t’i kishte përcaktonte ambiciet e saj afatgjata dhe mënyrat se si t’i arrijë ato, si dhe çështjet kyçe që u referohen politikave dhe kapacitetit të saj për veprim.

Ajo çka ndodh në prapavijë është ballafaqimi me realitetin. Duke e vendosur Ukrainën në plan të parë Unioni përgatitet për një vendim politik për fillimin e bisedimeve me Ukrainën në dhjetor. Tashmë shkruhet se Komisioni Evropian do të lëshojë 13 miliardë ndihma për Hungarinë nga Fondi për rezistencë dhe rimëkëmbje, që ajo të mos e bllokojë vendimin për Ukrainën. Element i dytë i rëndësishëm janë llogaritë e bëra. Kështu, secili shtet anëtar tashmë llogarit sa do të kishte humbur dhe eventualisht sa do të kishte fituar në formë të ndikimit dhe parave nga zgjerimi i ardhshëm. Duke u thirrur në informata nga Komisioni Evropian, Financial Times shkruan se zgjerimi i të 9 kandidatëve (dhe kandidatëve potencialë) për buxhetin e ardhshëm shtatë vjeçar do t’i kishte kushtuar Unionit 256,8 miliardë euro, prej të cilave vetëm Ukraina – 186 miliardë euro.

Një ditë më parë mbledhja e tretë e mbajtur e Bashkësisë Politike Evropiane, agjenda e të cilës ishte komplementare me atë të Këshillit Evropian, nuk solli dobi më të dukshme. Mbeti fokusi i mbledhjes së dytë për zgjidhjen e çështjeve të krizës, por ai u bë edhe burim zhgënjimi. Titujt nëpër media tashmë e shënuan si “mbledhja e karrigeve të zbrazëta”, për shkak të mungesës së presidentit turk Erdogan dhe presidentit të Azerbajxhanit Aliev, pas krizës së re midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.