Nënkalimet në Dardania ende të parregulluara, komuna premtoi përfundimin në tetor
Nënkalimet në lagjen “Dardania” të Tetovës ende nuk janë rregulluar. Problemi bëhet veçanërisht i dukshëm gjatë reshjeve, kur uji grumbullohet dhe e bllokon kalimin. Edhe pse punimet kanë nisur prej kohësh, ato ende nuk kanë përfunduar, shkruan Portalb.mk.
Ardhja e vjeshtës dhe reshjeve më të shpeshta, për banorët e Dardanias sjell frikën e bllokimit të nënkalimeve dhe kufizimit të lëvizjes.
Komuna e Tetovës tani e një kohë ka paralajmëruar zgjidhje për këtë problem, por punimet nuk kanë përfunduar ende.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, javë më parë tha se pjesa më e madhe e punimeve kanë përfunduar dhe se nënkalimi pritet të lëshohet në përdorim brenda tetorit.
“Nënkalimet, unë dje isha në terren, në Dardania unë besoj që brenda muajit tetor duhet ta lëshojmë në përdorim. Pjesa më e madhe e punës është realizuar, ka mbetur edhe diku 200 metra gjatësi të realizohet kanalizimi dhe përfundimisht ai projekt të lëshohet në përdorim”, tha Kasami më 23 shtator.
Megjithatë, tetori tashmë ka filluar dhe punimet ende nuk kanë përfunduar.
Portalb.mk e ka pyetur Komunën e Tetovës për ecurinë e punimeve dhe se kur do të përfundojë ky projekt, por nga komuna nuk u përgjigjën.
Krahas këtij problemi, banorët e lagjes Dardania përballen edhe me probleme tjera si (mos) planifikimi urban, mbeturinat, ndotja e lumit Shkumbin, ndriçimi publik, qentë endacakë dhe të tjera, për të cilat Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht. Megjithatë, periudhën e fundit ka pasur edhe punime, u asfaltua një rrugë, filluan punimet për ndërtimin e murit mbajtës të lumit.