Eda Zari: Folklori është zëri i paraardhësve dhe xhazi me klasiken janë mjetet teknike me të cilat ky zë përkthehet në gjuhë universale
Në botën e muzikës shqiptare, emri i Eda Zarit lidhet me guximin për të thyer kufij dhe për të krijuar ura mes traditës dhe modernitetit. E lindur në Tiranë dhe e rritur në Gjermani, ajo ka arritur të ndërtojë një karrierë ndërkombëtare ku tingujt e jazz-it përzihen natyrshëm me motivet shqiptare, duke krijuar një stil unik. Zari nuk është vetëm këngëtare, por edhe kompozitore, producente dhe kuratore projektesh muzikore, një artiste që me çdo dalje skenike sjell jo vetëm muzikë, por edhe histori, kujtesë dhe identitet. Në një bisedë për Portalb.mk, Zari foli për rrugëtimin e saj muzikor, për misionin e saj ndaj kulturës shqiptare dhe për planet e së ardhmes.
Portalb.mk: Ju keni një stil unik që bashkon jazz-in, muzikën klasike dhe folklorin shqiptar. Si lindi kjo qasje dhe si e arrini këtë bashkim të stileve?
Eda Zari: Qasja ime lindi nga dëgjimi i vazhdueshëm i zërit tim të brendshëm dhe i shpirtit tingullor të paraardhësve të mi. Për mua, busulla e duhur artistike është kur ti arrin të lidhesh me forcën dhe energjinë e rrënjëve dhe t’i prekësh ato. Nga linja e origjinës së sime mëje nga një dinasti muzikantësh me traditë të thellë, kam përftuar pa kuptuar tingullin unik të muzikës përmetare. Këta paraardhës gjithmonë tregojnë drejtimin e saktë artistik. Ky zë i brendshëm, i pasuruar nga trashëgimia, shërben si një kontrast i fortë ndaj “ndotjes” së jashtme dhe pengesave për të arritur aty ku do. Problemi është niveli i ndotjes mediatike para fytyrave tona çdo ditë, e cila nuk na lë të jemi vetvetja. Ajo na dikton: ‘duhet të vishesh kështu. Duhet të këndosh kështu…’. Kësisoj përfundon duke humbur veten. Në këtë kontekst, folklori shqiptar-si zëri autentik dhe i pa ndotur i rrënjës-bëhet një pikë e limanit ku ke hedhur spirancën dhe një deklaratë e vetvetes kundër presioneve të jashtme të zhanrit apo tregut.
Fuzioni i këtyre stileve arrihet duke përdorur një bazë shpirtërore dhe tingullore. Folklori (në këtë rast themeli), ofron materialin e papërpunuar dhe autentik-modet e lashta, mikromeloditë dhe sidomos ritmikën asimetrike unike që e kam shumë për zemër-si një gjuhë që duhet folur. Pastaj përmes klasikes (po e quajmë struktura), aplikohet disiplina dhe arkitektura e muzikës klasike për të organizuar, zhvilluar dhe thelluar materialin folklorik. Ndërsa xhazi (po themi – liria), shërben si mjeti i transformimit dhe vendi ku kënga tradicionale merr jetë në të tashmen. Përdorimi i harmonive të zgjeruara dhe lirisë së improvizimit bën që muzika të jetë gjithmonë e gjallë dhe të mos humbasë thelbin e saj në dialog me botën moderne.
Pra, në thelb, folklori është zëri i paraardhësve dhe xhazi me klasikën janë mjetet teknike me të cilat ky zë përkthehet në një gjuhë universale.
Portalb.mk: Sa ndikim ka pasur trashëgimia shqiptare dhe polifonia tradicionale në krijimtarinë tuaj muzikore?
Eda Zari: Për mua, muzika është gjithmonë një ceremoni që ndikon në qenësinë time. Kur këndoj apo ulem të krijoj, unë nuk këndoj thjesht nota por kërkoj të kyçem me identitetin por duke qenë Eda. Ndërsa burimi popullor më ka dhënë këtë lidhje të pazëvendësueshme. Meloditë dhe modet e vjetra, ato shkallë muzikale që i dëgjojmë thellë në fshatra, në ceremoni e festa, ato janë një ndjenjë e vyer e kujtesës kolektive. Kjo më ka mësuar se muzika nuk është për t’u shfaqur, por për të shëruar dhe për të lidhur. Unë i marr ato mode, si një ritëm themelor, dhe i lë të dialogojnë me strukturën harmonike komplekse të xhazit, duke krijuar një tension të ri, por gjithmonë të rrënjosur.
Polifonia tradicionale, sidomos ajo e jugut, për mua është ndikimi më transformues krahas këngëve-maja krahut. Në polifoninë tonë Iso nuk është rëndomë një bordun i vazhdueshëm por një besëlidhje. Ky është zëri i tokës, zëri i paraardhësve, kroi i energjisë. Në botën e xhazit psh. në muzikën afro-kubane, ky është funksioni i ritmit themelor (si clave), ai është ligji. Zërat që lëvizin mbi këtë “iso” janë liria, improvizimi në formën e tij më të pastër dhe më tradicionale. Por po aq primar dhe energjidhënëse janë ritmet tona. Ritmi është zjarri nën kazan.

Portalb.mk: A ka pasur ndonjë moment apo projekt që e konsideroni si pikë kthese apo kulm të karrierës suaj deri tani?
Eda Zari: Ky është lloji i mendimit që të bën të humbasësh kohë. Pse duhet të flasim për “kulme” apo “pika kthese” kur muzika është gjithmonë në lëvizje? Nuk ka pikëkthese. Ka vetëm pikënisjeje. Nëse duhet të zgjedh diçka, nuk do të flisja për ndonjë çmim të shkëlqyeshëm apo ndonjë album të shitur shumë. Kulmi është hera e parë që kupton se nuk duhet t’u bësh qejfin njerëzve të tjerë.
Për mua, momenti ishte kur thashë: “Mjaft.” Mjaft me atë që duhet të bëj apo si duhet të tingëllojë sipas rregullave të tyre. Kur e kuptova se folklori shqiptar nuk ishte diçka e vjetër që duhej “përmirësuar” me xhaz, por një rrënjë e fuqishme që duhej marrë ashtu siç ishte-e papërpunuar. Po kështu kuptova se muzika klasike ofronte strukturën e ftohtë, të nevojshme për t’i dhënë xhazit një peshë të re. Kulmi im ishte projekti i parë ku u ula dhe realizova saktësisht atë që dëgjoja brenda vetes, duke mos pyetur askënd nëse do të shitej, apo nëse do të kuptohej. Kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi: Të mos kthehesh prapa, por të shkosh gjithmonë përpara-duke dëgjuar zërin tënd. Çdo herë që unë bëj diçka të re, ajo është pik´kthesa. Dhe kjo ndodh çdo mëngjes.
Portalb.mk: Kur krijoni muzikë, si ndikojnë eksperiencat ndërkulturore dhe bashkëpunimet me muzikantë nga vende të ndryshme? A ka ndonjë bashkëpunim që ju ka sfiduar më shumë?
Eda Zari: E kam parë gjithmonë punën time si një udhëtim, dhe çdo bashkëpunim si një destinacion të ri. Eksperiencat ndërkulturore nuk janë thjesht një zgjedhje, ato janë karburanti i domosdoshëm për të lëvizur përpara. Kur krijoj, muzika ime ka nevojë të thithë ajër nga të katër anët e globit. Momentet më sfiduese janë ato ku duhet të harrosh çdo gjë që di. Fjala bie, të bashkëpunosh me një mjeshtër të një tradite akustike, tradicionale, haptike shpesh kërkon që ti të mos mbushësh hapësirën me notat e tua. Medoemos duhet të gjesh pikën ekzakte ku tingulli yt mund të ekzistojë në harmoni, pa u shndërruar në zhurmë apo dominim. Ky është një proces i ngjashëm me meditimin.
Nga ana tjetër, sfida e musical “Mass” (Mesha) e Leonard Bernstein, nën drejtimin e Sir Froschauer, me orkestrën dhe korin e Radios se WDR (West German Radio), përfaqëson një formë tjetër, por po aq thelbësore, të sfidës krijuese. Të gjeja zërin tim në një mjedis kolosal dhe strukturor ku feja thjeshtë përballet me barrën e vuajtjes njerëzore dhe korrupsionit-është një metaforë për vetë procesin tim artistik! Të kalosh nga roli i sopranos, tek këngëtarja e bluzit, duke u zhytur në një vepër që flet për krizën e besimit të një meshtari (në këtë rast është personi që kremton ritualin në një mesh), kërkon një aftësi të madhe si procesi i metamorfozës. Nga njëra anë, roli solistik i këngëtares së bluzit më lejonte të sillja në skenë të vërtetën e pazdruguar, zërin urban njerëzor, që është i ngjashëm me thelbin e folklorit shqiptar-një zë që nuk fsheh dhimbjen apo dyshimin. Njëkohësisht, roli i sopranos më jepte krahë të inkorporoja lirizmin me disiplinën e formës të oratoriumit. Ky projekt u bë testi im suprem ndaj pyetjes: A mund ta ruaj thelbin e zërit tim (shpirtin e ritmit dhe të bluzit) brenda një strukture të rreptë dhe polemika ekzistenciale të “Mass´it” (Meshës) së Bernstein´it? Përgjigjja është po, dhe kjo është liria e vërtetë: të mos humbasësh veten, pavarësisht sa e madhe apo sfiduese është skena.
Portalb.mk: Si e zgjidhni repertorin për koncertet ndërkombëtare dhe festivalet ku merrni pjesë?
Eda Zari: Këngët… ato të marrin peng! Ndaj unë kurrë nuk shkoj në skenë me një plan të ngurtë. Shkoj në skenë për t’u zhveshur shpirtërisht para njerëzve. Por! Zgjedhja e repertorit nuk është kurrë një vendim i shkëputur, por një akt i thellë akustik dhe shpirtëror që varet nga vendi ku luaj. Ndaj e shoh skenën jo thjesht si një hapësirë, por si një rezonator që dikton natyrën e komunikimit. Intimiteti i një teatri të vogël apo i një kishe, ku afërsia me publikun është fizikisht e madhe, kërkon një repertor që është po aq intim dhe sublim. Në këto mjedise, unë shkoj drejt muzikës që kërkon dialog ose heshtje rituale, siç janë troparet bizantine të albumit tim Entropy.
Një tropar si “O bukuri me nam” ose “Lavirja me Vajtime”-nuk synon argëtimin. Ai kërkon një meditim sonor, një dimension ku muzika të çon në një nivel tjetër. Zëri im në këtë rast bëhet një instrument i liturgjisë. Në të kundërt, kur këndoj jashtë, në një amfiteatër apo në një festival në qiell të hapur, distanca fizike dhe zhurma e sfondit ndryshojnë totalisht kornizën. Atje nuk mund të bësh një dialog me zë të ulët. Kërkohet eko dhe energji dinamike. Në këto raste, zgjedhja e repertorit duhet të jetë më e drejtpërdrejtë, duke shfrytëzuar më shumë ritmin e fuqishëm të xhazit dhe ndërthurjen e theksuar me folklorin, për t’i “kapur” njerëzit, veçanërisht kur ata janë më të shpërqendruar.
Pra, repertori ndryshon sipas arkitekturës së vendit: në mjedise të mbyllura, zgjedh muzikën që i shërben reflektimit dhe sublimes; në mjedise të hapura, zgjedh atë që i shërben energjisë kolektive dhe ekos. Por repertori ndryshon edhe në varësinë e momentit. Mendoj se këngët duhet të jenë si një gotë likeri, të ngrohin dhe të dorovisin shpirtin njëkohësisht.
Portalb.mk: Ju jeni edhe kuratore e disa festivaleve si Jazz & Wine Festival. Çfarë ju frymëzon në këtë rol dhe si ndikon në krijimtarinë tuaj muzikore?
Eda Zari: Ajo që më frymëzon, është dëshira për të krijuar një festë të bukur-një celebrim të vërtetë, ku njerëzit, kulturat, muzika dhe vera bëhen një. Kjo është esenca. Ne duhet të kemi guximin të sjellim këto festa pikërisht në ato vende ku i kanë harruar, në ato vende të braktisura të trashëgimisë sonë, në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë. Kjo është ajo që kemi bërë me dy edicionet e para. Nuk është vetëm muzikë; është ringjallje. Ti merr historinë, e rregullon me dashuri, dhe ajo bëhet sërish e re. E përgëzoj këtë zhvillim në Shqipëri dhe në trojet shqiptare me gjithë zemër. Po aq për mua, thelbësore është të sjell në çdo festival, prezencën e fuqishme të gruas-jo vetëm në skenë, por si mendje krijuese, si muzikante dhe model inspirues. Bota e muzikës, shpesh e dominuar nga burrat, ka nevojë për atë lirizmën e veçantë, atë durim dhe forcë të butë që e sjellin gratë. Ne sjellim artiste dhe bende nga vendi dhe nga bota, por unë gjithmonë shoh se kush ka një histori për të treguar, e cila nuk është vetëm teknikë, por shpirt.
Së fundmi, ky frymëzim është bërë një ndër vizionet e fondacionit tonë, KULT 360. Misioni nuk është që muzika të shërbejë vetëm si argëtim. Jo, kjo është sipërfaqësore. Muzika është mediumi ynë për të ndërtuar ura. Është një mënyrë për të sjellë vlera artistike dhe kulturore në një tjetër formë. Kështu, ne e vëmë theksin tek thelbi i tokës (vera dhe kulinaria) dhe tek liria e shpirtit (xhazi dhe arti), duke krijuar një vend ku njerëzit largohen pak më të pasur, shumë më të lidhur mes tyre. Kjo më jep forcë të vazhdoj.

Portalb.mk: Cilat janë sfidat kryesore kur organizoni një festival me artistë nga kultura të ndryshme?
Eda Zari: Artistët dhe muzika nuk janë kurrë problemi! Arti në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor (këtu përfshij edhe Maqedoninë e Veriut) është gjenial, plot talente, i zjarrtë. Problemi vjen kur ky gjenialitet duhet të kalojë nëpër filtrin e sistemit tonë operativ i cili duket se është projektuar nga dikush që nuk beson te afatet!
Ne të gjithë duam të realizojmë festivale të klasit botëror, por ajo që ndodh është një përplasje komike-tragjike. Ne jemi kampionë të improvizimit emocional. Kjo do të thotë se shpesh dashuria për detajin neglizhohet deri në pikën ku fillon të bëhet një problem serioz. Të presësh që një rider teknik të një artisti (shqiptar apo të huaj) të zgjidhet me një shkop magjik një orë para shfaqjes, sepse ne ishim shumë të zënë me “pasionin” apo dembel, është një lloj optimizmi naiv që na kushton. Ky është problemi ynë i madh: E kemi ca të vështirë ta kthejmë pasionin e zjarrtë në disiplinë të ftohtë profesionale. Kjo shkakton kaos. Konfuzioni dhe çështjet burokratike-qofshin ato financa, leje, apo zhdoganimi i instrumenteve-ngecin sikur të ishte një stafetë me pengesa. Ne shpenzojmë më shumë energji duke luftuar me formatet e vjetra të letrave sesa duke menduar për kurimin artistik dhe kualitetin e festivalit. Shpesh, ndihem si terapiste që kërkojn të rehabilitojë martesën midis artit dhe burokracisë. Gjërat lihen në mëshirën e fatit dhe ne shpresojmë që “zoti” t’i rregullojë në minutën e fundit.
Për fat të mirë, shpesh i rregullon! Por kjo nuk është strategji. Mirëpo, që të mos duket sikur po pikturojë gjithçka me të zezë, më duhet të kujtoj se, ky pasion dhe kjo gjallëri që kemi ne është arma jonë sekrete! Ne mund të krijojmë një atmosferë autentike dhe të papërsëritshme që asnjë festival gjigand me buxhet dhe plane te detajuara nuk mund ta blejë. Ndaj besoj se misioni ynë është të marr këtë shpirt të jashtëzakonshëm që kemi-këtë gjenialitet kaotik-dhe t’i japim atij një skelet të hekurt menaxherial. Vetëm atëherë ne do të ofrojmë cilësi ndërkombëtare, por me shpirtin tonë, duke qenë lojtarë seriozë, jo thjesht ekzotikë.
Portalb.mk: Cilat janë projektet tuaja të ardhshme që mund të ndani me publikun?
Eda Zari: Koncertet dhe kalendarin e aktiviteteve e gjeni në faqen time të internetit si gjithëherë. Gjithashtu momentalisht, po e gëzoj reagimin e publikut ndaj një projekti me koncept kinematografik që shkon pas në kohë: videoklipi i ri i këngës “Kujtimi” (të cilin e gjeni në kanalin tim të Youtube´it “Kujtimi-remix). Kjo këngë është pjesë e albumit tim “Palimpsest”, një projekt që mishëron vetë idenë e kthimit në rrënjë, kujtime dhe mall. Ky album muzikor është i pari dhe i vetmi që album shqiptar që ekziston ne tregun ndërkombëtar dhe në Shqipëri, pasi është realizuar në formatin e shumëkërkuar në një dopjo disk (si pllkata e gramafonit), dhe jo vetëm, një edicion i limituar, i shtypur në pllaka 180 gr, në ngjyrë blu oqeanike.
Është një objekt arti që flet për rëndësinë e tingullit të vërtetë, të pakompresuar. Për dashamirësit ose koleksionistët e disqeve, vinileve (LP´s) në faqen time të intrenetit www.eda-zari.com gjeni informacionin se ku gjendet albumi për ta pasur jo vetë në formë digjitale por dhe analoge pra diskun dhe albume të tjera.
Për videoklipin, ne vendosëm të bënim një udhëtim nostalgjik në kohë dhe hapësirë, duke e çuar narrativin artistik në vitet ’50. Me një bashkëpunim të shkëlqyer mes artistëve gjermanë dhe shqiptarë, ne e realizuam atë në Shkodër, një qytet që ofroi skena kinematografike unike-duke përdorur, për shembull, kinemanë e vjetër “Republika” dhe vende të tjera që janë stacione të forta të kujtesës sonë kolektive. Ju ftoj të gjeni këtë udhëtim, të realizuar me producentin Ergys Shehu, për të parë se si bashkëjeton kujtesa me tingullin modern.
Siç e përmenda dhe më lart, përtej koncerteve dhe produksioneve muzikore, tanimë energjia ime po shkon edhe drejt një kauze më të madhe. Po i dedikohem me pasion të veçantë një projekti që shkon përtej performancës në skenë: Fondacionit KULT 360. Ky është një vizion i përbashkët i imi dhe i bordit drejtues. Pse kjo ndërmarrje do thoni? Sepse nëse ne, artistët, nuk i marrim përsipër problemet e kulturës, barazisë gjinore, komunitetet e përjashtuara, apo çështjet e mjedisit, kush do t’i marrë? Pikërisht kjo është arsyeja pse Fondacioni KULT 360 është prioritet:
Vizioni ynë është që arti të jetë një megafon i fuqishëm. Ne e shohim si detyrë që të japim zë grave, artistëve dhe komuniteteve pa zë-qoftë në krijimtarinë brenda Shqipërisë, qoftë në diasporë-të cilët shpesh lihen në hije. Ky është një mandat etik që e kemi si krijues. Përveç kësaj, ne duhet të jemi cool dhe të ndërgjegjshëm njëkohësisht. Përmes projekteve tona, ne i japim zë natyrës dhe hapësirave të harruara, sepse respektimi i mjedisit është po aq thelbësor sa respekti për artin.
Bukuria e Shqipërisë është një trashëgimi që duhet mbrojtur me zërin tonë. KULT 360 e sheh artin jo vetëm si argëtim, por si një medium që ndërton ura, sjell ndryshim dhe injekton vlera të vërteta kulturore. Jemi një urë lidhëse mes potencialit të artistëve tanë dhe një vizioni global, dhe ju ftoj të bëheni pjesë përbërese e jona brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Ejani të eksplorojmë së bashku vizionin tonë-sepse pa zërin tonë të bashkuar, gjërat nuk ndryshojnë. Ky mision është tani një nga prioritetet tona kryesore. KULT 360 synon të ndezë kureshtjen dhe të ftojë të gjithë-nga dashamirët e muzikës, te investitorët e trashëgimisë-që të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi.

Portalb.mk: Çfarë do të dëshironit që brezat e rinj të mësonin nga rrugëtimi dhe përvoja juaj artistike?
Eda Zari: Ah, e bukur kjo! Nuk ka asnjë “rrugëtim ideal” për t’u kopjuar. Secili prej nesh ka labirintet e veta, të përpjeta e tatëpjeta, dhe ne bëjmë zgjedhje, herë me vlerë e herë më pak të vlefshme. Kjo është normale. Problemi i madh i brezit të ri sot është se ai është mësuar të shfletojë manuale jete, sepse beson se lumturia është një rezultat i menaxhueshëm. Kjo është gënjeshtra më e madhe e kohës sonë.
Jo, nuk kam receta jete. Çdo njeri ka gjurmët unike të gishtërinjve të tij, dhe pikërisht si i tillë, duhet të ecë. Kjo është e vërteta e parë dhe më e vështirë. Stop ndjekjes së suksesit fiktiv! Të rinjtë e dinë mirë tanimë se lumturia nuk është një synim i jashtëm që matet me numrin e ‘like-ve’, postimeve apo titujve. Ata e dinë po aq që ky është obsesioni i performancës (Hustle Culture) që na e shet tregu. Dëgjojmë trajnerë që japin kurse-ku për të marrë pjesë dhe dëgjuar ato këshilla duhet të paguash 200-300 euro. Është një credo e rreme-besimi se duhet të jesh gjithmonë në punë duke hequr dorë nga rigjenerimi, koha e lirë, marrëdhëniet shoqërore apo shëndeti mendor, sepse vetëm duke punuar më shumë se të gjithë të tjerët do të arrish vërtet diçka.
Për besë kjo konsiderohet si shenjë nderi dhe dëshmi e përkushtimit të lartë, madje edhe dëshira për t’u djegur nga puna (burnout) shpesh lavdërohet publikisht, veçanërisht në rrjetet sociale. Madje janë thurur citate të tipit, “kur të vdesësh ke kohë të flesh” apo “fundjavat nuk ekzistojnë”. Këto shkatërrojnë kufijtë mes jetës profesionale dhe asaj personale, duke pritur që brezi i ri të rri-gati tu! Kjo e bën panoramën e jetës të vështirë për brezin e ri që të gjejë kënaqësi dhe paqe, e cila vjen nga elementet bazike të jetës, jo nga mbiorët kërrusur në kompjuter.
Mos e lejoni veten të trajtoheni si një makineri prodhimi. Në këtë epokë të zhurmshme, guximi më i madh është të thuash saktësisht atë që është e vërtetë, me fjalë të thjeshta dhe direkte. Përballuni me guxim dhe optimizëm ndaj asaj që doni të ndërtoni, qoftë në jetën private, në profesion, në shoqëri. Mos u dorëzoni kurrë! Dhe kur diçka nuk ju pëlqen aspak, mos hiqni dorë!
Për çdo marrëzi që ndodh, fajtorë nuk janë vetëm ata që e bëjnë, por edhe ata që nuk e parandalojnë.
Post Scriptum: Kjo është një ftesë për t’u lidhur dhe për të ndarë energjinë e muzikës. Shpresojmë që kjo lidhje virtuale të transformohet së shpejti në një takim real, dhe me shumë gëzim uroj të shihemi në koncertet e ardhshëm, mbase së shpejti edhe në Maqedoninë e Veriut! Për të gjithë lexuesit e Portalb dhe të gjithë ata që treguan interes për thellësinë dhe idetë e kësaj interviste, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë. Ky dialog është vetëm fillimi. Ju ftoj me zemër të hapur të vizitoni universin tim artistik dhe të eksploroni më tej: Në faqen zyrtare www.eda-zari.com do të gjeni një dritare drejt projekteve, fotosesioneve dhe filozofisë që qëndron pas artit tim.
Për të gjetur dhe shijuar muzikën time, videot dhe projektet e ndryshme-dhe për të qenë pjesë e udhëtimit të përditshëm-ju lutem më ndiqni në kanalin tim në YouTube dhe në të gjitha rrjetet sociale (Instagram, Facebook) si dhe në platformat muzikore kryesore si Spotify, eBay, Amazon, iTunes dhe të tjera.