E bija e Sanduloviç: E masakruan se vendosi lule në varrin e 14-vjeçares shqiptare
Politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviç, një kritik i deklaruar i Presidentit Vuçiç, është rrahur barbarisht në Serbi, një ditë pasi publikoi një video të homazheve të bëra mbi varrin e Adem Jasharit në Prekez, shkruan Euronews Albania.
E bija e Sanduloviç, Klara, tregoi në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, dinamikën e rrëmbimit të babait të saj.
Ajo tha se i ati u mor peng në një furgon nga agjentët e BIA-s, shërbimit sekret serb, dhe u dhunua barbarisht 5-orë duke u paralizuar. Ajo shtoi se në momentin që poilitikani serb tenton të lëvizë i bie të fikët.
Shkak për këtë sipas të bijës janë bërë nderimet që ai bëri në Prekaz si dhe falja që kërkoi për familjet e viktimave shqiptare.
“Im atë u rrëmbye nga agjentë të BIA të cilët e futën në një furgon të zi dhe e dhunuan për 5 orë. Shumica e tyre nuk e fshehën fytyrën e tyre. Ata erdhën pa pasur asnjë mandat. Qeveria ka bërë një krim, ata nuk vepruan sipas ligjit, por e rrëmbyen, e kërcënuan dhe e dhunuan. Nëse im atë vdes përgjegjësia është e regjimit diktatorial.
Arsyeja pse u arrestua është se i shprehu ngushëllimet e tij familjeve të viktimave shqiptare dhe vendosi lule në varrin e një vajze 14-vjeçare. Ai do të promovojë paqen mes njerëzve, por kjo qeveri radikale, nuk i shërben kësaj dhe nuk e do këtë paqe. Nëse dikush flet për paqe kjo është mënyra si përfundon në Serbi”, tha ajo.
Klara theksoi se Sanduloviç ndodhet në spitalin e burgut dhe “nëse nuk shkon në një spital tjetër për të marrë trajtim më të specializuar ai do të vdesë”.
“Ne jemi kontaktuar nga bashkëpunëtorët dhe aleatët e babait dhe nga disa parti politike të cilët për momentin dua t’i mbaj anonim. Po kërkojmë mënyra si ai të dalë nga burgu dhe të bëhet më mirë, por institucionet po injorojnë çdo kërkesë tonën. Nuk ka drejtësi, nuk ka asgjë. Nga qeveria nuk ka asnjë reagim dhe pse rasti u publikua në të gjitha mediat”, tha ajo.