Dymbëdhjetë shoferë janë privuar nga liria, mes tyre edhe një i mitur

Dymbëdhjetë shoferë gjatë 24 orëve të fundit janë privuar nga liria në territorin e gjithë vendit për shkak të kryerjes së veprës penale “drejtim i pamatur i automjetit”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.

Prej tyre, shtatë shoferë kanë drejtuar automjete pa patentë shoferi, ndërsa mes tyre ka qenë edhe një i mitur. Një nga shoferët është kapur duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit.

Përveç tyre, policia ka privuar nga liria edhe tre shoferë të tjerë, të cilët kanë drejtuar automjete nën ndikimin e alkoolit, ndërsa dy të tjerë kanë drejtuar automjete pavarësisht se kishin ndalesë aktive për drejtimin e automjetit.

Nga MPB-ja informojnë se, pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të paraqiten kallëzime përkatëse penale.

Policia u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë në mënyrë të vazhdueshme rregullat dhe dispozitat e trafikut dhe të mos drejtojnë automjete pa e kaluar provimin për patentë shoferi, nën ndikimin e alkoolit apo gjatë kohës kur kanë një ndalesë për drejtim.

“Me sjellje të përgjegjshme, të gjithë së bashku kontribuojmë për një siguri më të madhe në komunikacion”, thuhet në apelin e MPB-së.