Dy vjet për një udhërrëfyes: Dokumentit për institucione demokratike që duhet ta përgatisë RMV ende nuk i shihet fundi

Edhe pse kanë kaluar gati dy vite nga nisja e përgatitjeve, Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike në RMV ende nuk është miratuar. Nga Ministria e Çështjeve Evropiane thonë se dokumenti është në “fazë të avancuar”, por para se të shkojë në Qeveri do të hapet për konsultime publike. Në përgjigje për Portalb.mk, Ministria thekson se udhërrëfyesi është harmonizuar me rekomandimet e Komisionit Evropian, detyrimet nga Agjenda e Reformave 2024–2027 dhe gjetjet nga Raporti i KE-së për vitin 2025. Megjithatë, nuk jepet një afat konkret se kur pritet të përmbyllet i gjithë procesi.

“Udhërrëfyesi për Institucione demokratike funksionale është në fazë të avancuar të përgatitjes dhe i njëjti u konsultua edhe me shërbimet e Komisionit Evropian. Në periudhën e kaluar, u punua në harmonizimin e masave në Udhërrëfyesin me rekomandimet e KE-së, me detyrimet nga Agjenda e Reformave 2024-2027, rekomandimet nga Raporti i KE-së për vitin 2025, etj. Para miratimit të Udhërrëfyesit nga ana e Qeverisë, i njëjti do të jetë lëndë e konsultimeve publike”, thuhet në përgjigjen e MÇE-së.

Kjo zvarritje vjen në kontrast me pritshmëritë e mëhershme të institucioneve. Që në fund të vitit 2023, dy udhërrëfyesit tjerë, ai për sundimin e së drejtës dhe ai për reformën në administratën publike, ishin përgatitur dhe dërguar në Këshillin e BE-së, ndërsa i treti për institucionet demokratike konsiderohej në fazë përfundimtare.

Edhe pse ky udhërrëfyes nuk është kusht formal për hapjen e Klasterit 1, ai mbetet pjesë e obligimeve që vendi ka marrë në kuadër të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian.

Foto e krijuar me inteligjencë artificiale nga Portalb.mk në Sora-ChatGPT.
Foto e krijuar me inteligjencë artificiale nga Portalb.mk në Sora-ChatGPT.

Ndërkohë, autoritetet theksojnë se dokumenti është zhvilluar në koordinim me Komisionin Evropian dhe aktorë të tjerë relevantë. Megjithatë, fakti që pas një periudhe kaq të gjatë ai ende nuk është finalizuar dhe do të kalojë sërish në fazë konsultimesh publike, tregon se procesi nuk ka qenë aq efikas sa ishte paralajmëruar.

Kujtojmë se përgatitja e tre udhërrëfyesve lidhet drejtpërdrejt me Kornizën negociuese të miratuar nga Këshilli i BE-së në vitin 2022 dhe me Metodologjinë e re të zgjerimit. Ndërkohë që dy dokumentet kyçe tashmë janë dorëzuar, i treti vazhdon të mbetet në pritje, pa një datë të qartë për përfundim.

Udhërrëfyesi për sundimin e së drejtës, i cili përfshin reformat në Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe Udhërrëfyesi për Reformat në administratën publike, i cili fokusohet në ndërtimin e administratës profesionale janë përgatitur dhe më 28 dhjetor 2023 i janë dërguar Këshillit të BE-së.

Me Metodologjinë e re për negociatat aderuese nga marsi 2020 dhe siç përcaktohet me Kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, të cilën e miratoi Këshilli i BE-së në korrik të vitit 2022, parashihen të përmbushen dy kushte për hapjen e Klasterit 1: Vlerat themelore dhe atë përgatitja e Udhërrëfyesit për Sundimin e së drejtës dhe Udhërrëfyesi për Reforma në administratën publike, ndërkaq Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike nuk është kusht, por është detyrim që do të duhet ta përmbushim.

Ndryshe, procesi i skriningut mbaroi më 7 dhjetor 2023, me skriningun bilateral për Kapitullin 31 – “Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes” si pjesë e klasterit 6 – Marrëdhëniet e jashtme”.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.