Dy shpërthime pranë Ambasadës izraelite në Danimarkë
Policia në Danimarkë tha se dy shpërthime ndodhën gjatë natës së shkuar në afërsi të Ambasadës së Izraelit në Kopenhagë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Përmes një postimi në platformën X, policia tha se nuk ka ndonjë të plagosur, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar.
Policia nuk dha detaje për dëmet që mund të jenë shkaktuar dhe tha se është herët të thuhet nëse shpërthimi kishte cak ambasadën.
Të martën në mbrëmje, zona përreth Ambasadës izraelite në Stokholm u mbyll gjithashtu, pasi u raportua për “një zhurmë të fortë”.
Mediat lokale raportuan më vonë se ndërtesa e ambasadës ishte sulmuar me plumba.
Këto zhvillime vijnë në kohën kur Izraeli po kryen një operacion tokësor kundër objektivave të Hezbollahut – organizatë e cilësuar si terroriste nga SHBA-ja – në Libanin jugor.
Izraeli është duke vazhduar edhe sulmet në Gazë, tashmë gati një vit.
Më 7 tetor të vitit të kaluar, Izraeli u sulmua nga Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – i cili vrau mbi 1.200 njerëz dhe mori peng qindra të tjerë.
Në përgjigje, Izraeli po kryen një fushatë të ashpër sulmesh në enklavën e banuar me palestinezë, e cila kontrollohet nga Hamasi.
Mbi 42.000 njerëz janë vrarë atje që nga fillimi i luftës, sipas autoriteteve të Hamasit.