Dy raste me ethe të Nilit Perëndimor u konfirmuan në Klinikën e Sëmundjeve Infektive

Dy raste me ethe të Nilit Perëndimor janë konfirmuar laboratorikisht në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrilenë Shkup, transmeton Portalb.mk.

Nga Klinika njoftojnë se pacientët janë të shtruar në spital dhe se gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet vazhdimisht.

“Dy pacientët janë të hospitalizuar, nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po trajtohen në përputhje me rekomandimet bashkëkohore mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore po ndiqet me kujdes”, thanë nga klinika.

Ethet e Nilit Perëndimor janë sëmundje virale që transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shumica e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma ose kanë një pasqyrë të lehtë klinike, ndërsa te një numër i vogël pacientësh, veçanërisht te të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar, mund të zhvillohen komplikime të rënda neurologjike.

Nga Klinika Universitare për Sëmundje Infektive u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë me përpikëri masat për mbrojtje personale nga pickimet e mushkonjave, si përdorimi i repelentëve, veshja e rrobave me mëngë dhe këmbë të gjata gjatë qëndrimit në ambiente të hapura, vendosja e rrjetave mbrojtëse etj.