Dueti Grubi shkëlqeu në Milano me koncertin “Tri epoka, një përrallë muzikore”

Mbrëmë, në kuadër të edicionit të XXI-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike “Rogoredo in Musica” për vitin 2026, në Milano u mbajt koncerti me titull “Tri epoka, një përrallë muzikore”, ku performoi dueti Grubi “Violë dhe Piano”, shkruan Portalb.mk.

Në këtë mbrëmje të veçantë artistike u paraqitën violisti Blerim Grubi dhe pianistja Nita Grubi, të cilët interpretuan para publikut në Sala Polifunzionale “Sianesi”.

Koncerti u përcoll me interesim të jashtëzakonshëm nga publiku, ndërsa të gjitha biletat ishin shitur. Sipas artistëve, publiku në Itali ishte, si gjithmonë, shumë i ngrohtë dhe i afërt, duke e bërë mbrëmjen edhe më të veçantë.

Programi i koncertit përfshiu vepra nga kompozitorë të njohur botërorë dhe vendorë, si Schubert, Rachmaninoff, Schumann, Zografski dhe Beqiri, duke sjellë një ndërthurje të pasur artistike mes epokave dhe stileve të ndryshme muzikore.

Foto nga koncerti “Tri epoka, një përrallë muzikore”. Foto: Blerim Grubi
Foto nga koncerti “Tri epoka, një përrallë muzikore”. Foto: Blerim Grubi

Kjo paraqitje përbën një tjetër sukses të rëndësishëm për artistët, duke dëshmuar vlerat e tyre në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike.

Ngjarja u organizua nga Associazione Internazionale Rogoredo Musica në Milano, në bashkëpunim me institucione kulturore dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut.

Foto nga koncerti “Tri epoka, një përrallë muzikore”. Foto: Blerim Grubi
Foto nga koncerti “Tri epoka, një përrallë muzikore”. Foto: Blerim Grubi