Droga mes të rinjve në Pollog, alarm nga ekspertët: Institucionet reagojnë vonë, shkollat pa mbështetje të mjaftueshme

Pjesa e gjashtë e storjes

Përdorimi i lëndëve narkotike në mesin e të rinjve në rajonin e Pollogut vazhdon të shihet si një nga problemet më shqetësuese në vend, ndërsa ekspertët vlerësojnë se institucionet po dështojnë të ndërtojnë mekanizma efektivë parandalues. Sociologë, psikologë, njohës të arsimit dhe drejtues shkollash thonë se mungesa e aktiviteteve për të rinjtë, dobësitë në bashkëpunimin mes familjes dhe shkollës, si dhe mungesa e stafit profesional në institucione arsimore, po krijojnë hapësirë që problemi të përhapet gjithnjë e më shumë mes nxënësve të shkollave të mesme, shkruan Portalb.mk.

Pse të rinjtë përdorin drogë?

Fillon si zbavitje duke mos i kuptuar rreziqet dhe pastaj përfundon në varësi. Kështu tregon për Portalb.mk psikologia Fatime Ziberi.

Ajo sqaron se dëshira për tu dukur mirë dhe në trend me risitë dhe stilin e jetës, nga aspekti psikologjik shihet si tendencë për imazh të rrejshëm social, që i bën të rinjtë të pësojnë kritë identiteti mes asaj se kush janë dhe si paraqiten.

“Zakonisht studimet dhe praktika na tregon për ndikimin e familjes dhe shoqërisë. Kur themi familjes këtu do të kisha thënë më tepër marrëdhëniet familjare, komunikimi dhe stilet e prindëmit, sa të rinjtë arrijnë të shprehin dhe komunikojnë nevojat e tyre, dhe sa arrijnë të zhvillojnë ndjesinë e përkatësisë në familje. Injorimi në njërën anë dhe kujdesi i tepërt në anën tjetër shihen si faktorë që nxisin të rinjtë të kërkojnë kujdesin, vëmendjen dhe hapësirën e tyre të veprimit në mënyrë dhe rrugë të gabuar”, thotë Ziberi.

Foto: Fatime Ziberi (profili në facebook)
Foto: Fatime Ziberi (profili në facebook)

Si ndikojnë faktorët shoqërorë në nxitjen e të rinjve drejt drogës?

Te popullata juvenile prirjet që kanë grupi miqësor apo referencial ka ndikim të madh në sjelljet e një të riu, ngase kjo grupmoshë janë të prira të jenë imitues të verbër, pra ndjekin heronjtë e tyre që madhërohen nga tribuja moderne, grupi shoqëror. Kështu shprehet për Portalb.mk sociologu – Ali Pajaziti.

Ai thotë se trysnia që ushtrohet nga shokët është që duhet sfiduar veten, se duhet provuar të paprovuarën, se duhet thyer barrierat dhe tabutë sociale.

“Mosangazhimi, mospasja e detyrave që do ta mbanin në qarkun e aktivizmin permanent gjithashtu është faktor që një të ri e bën pre të narkomanisë. Anemia e okupon një të ri që nuk ka aktivitete, nga ato shtëpiake, kulturore deri te ato sportive. Energjia që e ka rinia do të harxhohet diku, ose në veprimtari konstruktive ose në syresh destruktive… Andaj me rëndësi është orientimi që duhet ta bëjë prindi, shkolla, pushteti vendor, OJQ-të… Trekëndëshi pedagogjik efektiv mësimdhënës, nxënës prind luan rol të rëndësishëm në përgatitjen e të riut të shëndoshë moralisht dhe kulturalisht”, thotë Pajaziti.

Ali Pajaziti, foto nga arkivi personal
Ali Pajaziti, foto nga arkivi personal

Edhe psikologia Fatime Ziberi thotë se aspekti social po ashtu ka rol të konsiderueshëm, modelet identifikuese që marrin të rinjtë si shembuj ndjekës, shoqëri të dyshimta dhe vlera të paqarta morale, shihen si faktor shtesë nxitës.

Në këtë vijë është edhe ish-mësimdhënësi dhe njohësi i çështjeve arsimore në vend, Satki Ismaili. Ai thotë se jo vetëm në Pollog, por në kushtet e RMV-së, faktorët shoqërorë e thellojnë ndjeshëm problemin për shkak të kombinimit të tranzicionit social, emigrimit dhe ndikimit të fortë të rrjeteve sociale.

“Normalizimi i sjelljeve të rrezikshme, sidomos përmes mediave dhe kulturës rinore urbane, e ul ndjeshmërinë e të rinjve ndaj pasojave dhe e paraqet përdorimin e substancave për fat të keq si diçka “të zakonshme”. Mungesa e bashkëpunimit prind – shkollë shpesh lidhet me mungesën e kohës, migrimin e prindërve dhe komunikimin e dobët institucional, duke krijuar zbrazëtira në mbikëqyrje dhe reagim të hershëm. Presioni i bashkëmoshatarëve, në një kontekst ku të rinjtë kërkojnë përkatësi dhe identitet, bëhet vendimtar në nxitjen e sjelljeve devijante. Si rezultat, këta faktorë ndërveprojnë dhe krijojnë një mjedis ku parandalimi bëhet më i vështirë dhe reagimi shpesh vjen me vonesë”, thotë Ismaili.

Cilat janë ngecjet institucionale?

Ish-mësimdhënësi Satki Ismaili sqaron se sistemi arsimor përballet me ngecje serioze në parandalimin e përdorimit të drogës për shkak të mungesës së strategjive të zbatueshme nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut dhe koordinimit të dobët me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Një boshllëk i madh mbetet mungesa e programeve të mirëfillta dhe të vazhdueshme preventive në shkolla, të bazuara në evidencë dhe të integruara në programet shkollore. Roli i psikologëve dhe pedagogëve është i kufizuar dhe shpesh administrativ, ndërsa mësimdhënësit nuk janë të trajnuar mjaftueshëm për të identifikuar rastet në faza të hershme. Bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet kryesisht reaktiv dhe jo parandalues. Si pasojë, sistemi vepron kur problemi ka eskaluar, në vend që ta parandalojë në kohë”, thotë Ismaili.

Satki Ismaili, mësimdhënës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Satki Ismaili, mësimdhënës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërkaq sociologu Ali Pajaziti sqaron se institucionet kanë përgjegjësi të madhe për evitimin e dukurisë së përdorimit të drogërave nga popullata rinore.

“Ato duhet që përmes kampanjave të ndryshme të vetëdijësojnë qytetarët, në veçanti fëmijët dhe të rinjtë për pasojat fatale dhe udhën pa kthim të narkomanisë. Mësimdhënësit duhet të jenë këshilluesit më të sinqertë të nxënësve; ata përveç dijes duhet që fëmijëve t’u japin edhe frymën, t’i mësojnë se ç’janë vlerat dhe antivlerat. Instancat komunale duhet të vigjilojnë mbi mbarëvajtjen e procesit nëpër shkolla, duhet të mbështesin nisma anti-devijim dhe të afirmojnë dhe shpërblejnë të rinjtë e suksesshëm dhe të vyeshëm”, thotë Pajaziti.

A kanë dështuar shkollat?

Ekspertët vlerësojnë se edhe shkollat nuk po bëjnë mjaftueshëm në këtë drejtim.

Psikologia Fatmie Ziberi thotë se shkollat ende nuk kanë arritur të kuptojnë dhe zbërthejnë faktorët nxitës, kjo pasi bashkëpunimi institucional shkollë, familje dhe shoqëri lë për të dëshiruar dhe ende nuk janë të gatshëm të pranojnë dhe reflektojnë me vetëkritik për rolin dhe përgjegjësitë që mbajnë.

“Qasja e gabuar ndaj këtij problemi e bën akoma më të vështirë parandalimin dhe intervenimin nga shkollat. Kjo na flet për një jobesueshmëri në kapacitetin institucional për të reaguar pasi që në të shumtën e rasteve shohim etiketim dhe paragjykime, mospranim dhe refuzim të flitet hapur me të rinjtë për këtë fenomen. Ajo që mungon mendoj se është moskomunikimi apo komunikimi jo i shëndetshëm, pa përgatitje profesionale dhe mungesë të shërbimeve psikologjike edukative në shkolla qoftë edhe përmes programeve dhe kutikulës shkollore si dhe mungon edhe bashkëpunimi mes institucioneve”, tha Ziberi.

Që mungesa e stafit profesional në shkolla si pedagogët, sociologët dhe psikologët e dobësojnë ndjeshëm kapacitetin për identifikimin e hershëm dhe parandalimin e përdorimit të drogës te nxënësit pajtohet edhe ish-mësimdhënësi Satki Ismaili.

“Kur një numër i vogël i bashkëpunëtorëve profesional mbulon numër të madh të nxënësve, puna reduktohet dhe intervenohet pas problemit dhe jo në ndërhyrje parandaluese. Kjo kufizon këshillimin individual, punën me prindërit dhe zhvillimin e programeve të qëndrueshme preventive. Po ashtu, mungon analizimi social i faktorëve të rrezikut brenda dhe jashtë shkollës. Si rezultat, menaxhimi i rasteve mbetet i fragmentuar dhe shkolla reagon vonë”, tha Ismaili.

Alarm edhe në shkollat fillore, jo vetëm të mesme

Lidhur me përdorimin e lëndëve narkotike nga nxënësit e arsimit fillor, drejtoresha e shkollës fillore ‘Kirili dhe Metodi’ në Tetovë, Sihana Kaba Kasami thotë se nuk ka të dhëna të sakta.

“Sa u takon shkollave fillore nuk besoj se ka nxënës që përdorin lëndë narkotike. Ky është një mendim i imi personal sepse nuk kemi të dhëna të sakta për përdorimin e narkotikëve nga nxënësit e arsimit fillor. E di që duhani pihet më të madhe nga nxënësit e kl. VI, VII, VIII dhe IX posaçërisht cigaret elektronike, të cilat janë edhe më të dëmshme për trupin dhe trurin e këtyre fëmijëve”, thotë Kaba Kasami.

Sihana Kaba Kasami, drejtoreshë e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”. Foto: Portalb.mk

Ajo thotë se ka disa faktorë që paraqiten në ngecjen dhe parandalimin e këtyre dukurive negative te të rinjtë.

“Si për shembull: mungesa e trajnimeve të ndryshme për të rinjtë me njerëz kompetent për këto dukuri negative; mungesa e punëtorive me prindërit e nxënësve për një trajtim më të veçantë për këto raste; mungesa e aktiviteteve të ndryshme sportive, kulturore, humanitare; mungesë e kuadrit profesional nëpër shkollat fillore dhe të mesme, të cilat trajtojnë këto dukuri; mungesa e fondeve për shtëpitë rehabilituese ku trajtohen jo veç nxënësit e shkollave të mesme por, edhe gjithë të rinjtë e përfshirë në këto dukuri negative”, tha Kaba Kasami.

Me këtë artikull, Portalb.mk e përmbyll serinë e teksteve lidhur me përdorimin e lëndëve narkotike nga nxënësit e shkollave të mesme në rajonin e Pollogut. Të gjitha tekstet paraprake mund t’i gjeni më poshtë.