Misajllovski: Këtë vit mbërrijnë të gjitha 42 automjetet luftarake “Stryker” të blera nga SHBA
Komisioni Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri sot shqyrtoi informacionin mbi nevojën për miratimin e Amendamentit i cili i referohet kontratës për blerjen e 42 automjeteve të lehta të blinduara me rrota STRYKER MK-B-UCE, midis Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Portalb.mk.
Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, gjatë arsyetimit të informacionit theksoi se bëhet fjalë për amendament teknik. Ai nënvizoi se tashmë 17 automjete ndodhen në portin e Greqisë dhe nevojitet marrëveshje teknike, sipas kërkesës së SHBA-së, në formë amendamenti për instalimin e të gjithë pajisjeve që po mbërrijnë.
“Bëhet fjalë për një marrëveshje teknike, pra për një amendament teknik, pasi siç e dini është nënshkruar kontrata për 42 automjete luftarake të tipit “Stryker” me SHBA-në. Këtë vit do të mbërrijnë të gjitha. Tashmë 17 janë në portin e Greqisë dhe nevojitet marrëveshje teknike që, sipas kërkesës së SHBA-së, të procedohet si amendament për instalimin e të gjitha pajisjeve që po vijnë. Si përdorues përfundimtar është Ministria e Mbrojtjes dhe duhet të realizohet trajnim i plotë. Ky është një amendament teknik, siç e kërkojnë SHBA-të, për të bërë marrëveshjen në mënyrë që më pas t’i pranojmë të gjitha dhe ato të mbeten plotësisht në përdorim të Ushtrisë. Nuk ka asgjë shtesë, kontrata është në rregull. Këtë vit do të mbërrijnë të gjitha”, tha Misajllovski.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020, vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.