Drin Ahmeti do të tërhiqet nga “Tor Industries”, kompania me drejtues të rinj

Drin Ahmeti, nipi i kryetarit të BDI-së Ali Ahmetit i cili ishte themelues dhe pronar i “Tor Industries” deri në fund të vitit do të largohet nga pozita drejtuese në këtë kompani, pasi kompania do të ketë drejtues të rinj. Këtë e bënë të ditur sot “Tor Industries” të cilët njoftuan se pronar i ri është kompania amerikane “Texas American International Holdings”, transmeton Portalb.mk.

“Drin Ahmedi, që udhëhoqi kompaninë si themelues dhe pronar i Tor Industries, duke e udhëhequr kompaninë nëpër faza të ndryshme të rritjes dhe ristrukturimit, do të largohet në fund të vitit. Ky vendim vjen si pjesë e një plani strategjik të tranzicionit të lidershipit, i cili siguron një transferim të qetë dhe efektiv të përgjegjësive te ekipi i ri i drejtues të caktuar nga American International Holdings në Teksas, ” tha Tor Industries në një deklaratë.

Tor Industries theksoi se detaje shtesë në lidhje me kalimet në pozicione drejtuese do të ndahen me publikun “në kohën e duhur”.

Kujtojmë që kompania e nipit të Ali Ahmetit ishte në fokus të publikut pasi bleu qendrën tregtare “Soravia” në qendër të Shkupit.