Ahmeti deklaroi se është ndryshuar 83 përqind e udhëheqjes së BDI-së, për vete premtoi se nga kryetar do të bëhet veteran
Në Kuvendin Zgjedhor të BDI-së, dega në Kumanovë, kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti tha se janë partia më e organizuar në vend dhe rajon, që siç tha, kanë ndryshuar 83 për qind të udhëheqjes së partisë dhe 73 për qind ndryshime në udhëheqjen e degës në Kumanovë, raporton TV21. Ahmeti tha se ata që themeluan UÇK-në dhe BDI-në u lanë hapësirë gjeneratave të reja, duke thënë se kjo ishte edhe motoja e BDI-së “që të ngritet parti dhe gjeneratat e reja”.
Nga ish-udhëheqësit, Ahmeti përmendi Sadullah Durakun që tha se do të emërohet në udhëheqjen e komitetit të veteranëve, por shtoi se edhe ai vetë nuk do të jetë gjithmonë kryetar partie, por do të bëhet veteran.
“Jemi parti, lëvizje, mision nga më të organizuarit dhe etabluarit në RMV edh enë rajon. Nuk ka forcë politike që bën 83 për qind ndryshim të udhëhqejes, 73 për qind të udhëhqejes së degës. Të gjithë ata që themeluan UÇK-në, e themeluan BDI-në, po rreshtohen pas 73 për qind të djemve dhe vajza të reja. Cila ka qenë motoja jonë? Të gjithë bashkë me ndërgjegje dhe përgjegjësi që BDI-në duhet ta ngrisim mbi super tona, të ngrisim gjenerata e reja. Jo rastësisht Uli është vënë në krye të komitetit të veteranëve. Sigurisht edhe Sadullain do ta bëjmë.
Pas teje vijë unë, unë nuk do të rrijë kryetar partie. Edhe unë dua të rreshtohem te veteranët dhe të shohin anëtarët e BDI-së se si luftojë unë si veteran”, deklaroi Ahmeti.
Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim në krye me Ali Ahmetin prej fundit të vitit 2025-të ka filluar procesin e reformave të brendshme. Këto reforma erdhën pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale.
Kongresi i BDI-së u mbajt më 20 dhjetor, ndërsa reformimi i strukturës ka vazhduar në hierarkinë e poshtme.
Në Kryesinë e ngushtë të BDI-së për nënkryetarë të partisë janë zgjedhur Bujar Osmani, Faton Ahmeti, Arta Bilalli-Zendeli, Arbana Pasholli, Erkan Arifi. Arbër Ademi është zgjedhur sekretar i Përgjithshëm, Nebi Rexhepi, sekretar Organizativ, ndërsa Arbëresha Vlashi, sekretare për mundësi të barabarta. BDI e ndryshoi gjysmën e kryesisë në Kongres.
LEXO: Kongresi i BDI, u zgjodhën anëtarë të rinj në Kryesinë Qendrore