Gjermania në vapë: kur klima prek jetën publike
Vala historike e të nxehtit që goditi Gjermaninë javën e kaluar – me temperatura mbi 41 gradë Celsius për disa ditë radhazi – la gjurmë jo vetëm te njerëzit, por edhe te infrastruktura, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.
Cenimi i infrastrukturës ishte ndoshta më i ndjeshëm, sesa mund ta shpjegojnë disa ditë të nxehta me temperatura rreth 40 gradë Celsius. Në Lajpcig, në lindje të Gjermanisë, u ndërpre transporti publik, pasi temperaturat shkrinë materialin mes shinave të tramvajit. Gjëra të ngjashme ndodhën në Esen, në Nyrnberg, Würzburg dhe Bremen.
Në autostrada, vende-vende pllakat e betonit u ngritën nga nxehtësia. Në bujqësi, fermerët u përpoqën të mbronin prodhimin duke ujitur më shumë ose duke mbuluar frutat me shtresa të bardha argjile. Pjesë të mëdha të infrastrukturës gjermane janë projektuar për kushte klimatike më të buta se ato që u panë gjatë kësaj vale të nxehti.
Kjo tregon një problem më të gjerë: nuk bëhet fjalë për një ditë të vetme të nxehtë, por për temperatura ekstreme që zgjasin me ditë të tëra dhe që thyejnë rekorde. Vapa e madhe i solli pranë kufijve të përballimit edhe të moshuarit, të sëmurët dhe gratë shtatzëna.
Kur nxehtësia godet infrastrukturën
Sipas ministrit federal të Mjedisit, Carsten Schneider, Gjermania nuk është e përgatitur ende mjaftueshëm për një klimë më të nxehtë. Ai e quajti të madh dëmin ndaj ekonomisë kombëtare nga temperaturat e larta.
Në një intervistë për gazetën ekonomike Handelsblatt, ministri kërkoi përshtatjen e qendrave të qyteteve: më shumë pemë, më shumë hije dhe më pak sipërfaqe të betonizuara.
Sepse Gjermania, në tërësi, është e gjelbëruar, por pikërisht në qendrat urbane ku nxehtësia ndihet më fort, nevojiten masa shtesë. Megjithatë, përshtatja shpesh kërkon dekada.
Kjo shihet edhe në bujqësi. Një plantacion mollësh mbillet për shumë vite dhe fermerët nuk mund t’i përgjigjen shpejt një klime më të nxehtë duke ndryshuar menjëherë llojet e prodhimit.
Edhe rezervat e ujit po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Kur bie niveli i ujërave nëntokësore, kjo prek jo vetëm familjet dhe bujqësinë, por edhe industrinë. Në raste të caktuara, kjo mund të pengojë ngritjen e kapaciteteve të reja prodhuese. Kjo sepse, kur pakësohen rezervat e ujit, rritet edhe kundërshtimi i popullsisë për një konsum të tillë të burimeve ujore.
Klima kundrejt ekonomisë?
Kjo e çon debatin te raporti mes mbrojtjes së klimës dhe ekonomisë së një vendi industrial. Mbrojtja e klimës dhe zhvillimi i industrisë janë shpesh në tension, por jo gjithmonë.
Gjermania mbetet një nga ekonomitë më të industrializuara në botë. Industria gjeneron rreth 20% të Produktit të Brendshëm Bruto të Gjermanisë. Por Gjermania ka edhe një bilanc të mirë ekologjik krahasuar me shtete si SHBA, Kina, India etj., veçanërisht në reduktimin e emisioneve, në standardet ekologjike dhe në kthesën energjetike.
Kjo nuk do të thotë se tensionet nuk ekzistojnë. Për prodhimin e çelikut, të çimentos apo për rafineritë, rregulla të rrepta klimatike shpesh nënkuptojnë investime dhe kosto shtesë.
Por në sektorë të tjerë vlen e kundërta. Prodhuesit gjermanë të automobilëve kanë pjesërisht vështirësi, sepse e vonuan ndërtimin e automjeteve elektrike. Te bateritë sot udhëheq Kina, ndërsa Evropa mbetet konkurruese në fusha si hidrogjeni dhe teknologjitë e ujit. Ministri gjerman i Mjedisit Schneider tha se duhet vepruar në mënyrë praktike: duke mos bllokuar, për shkak të klimës, por duke kompensuar. Pra industria nuk duhet bllokuar, por duhet ndihmuar të përshtatet.
Kush e paguan koston e mosveprimit?
Kritikët argumentojnë se politika klimatike po e dobëson ekonominë gjermane. Por qeveria kundërshton se mosveprimi mund të kushtojë edhe më shumë. Temperaturat e larta ulin prodhimtarinë; pra dëmi vjen edhe pa asnjë detyrim klimatik. Vetë temperaturat e larta ndikojnë në infrastrukturë dhe në shëndetin publik.
Argumenti i ministrit gjerman të Mjedisit është se kostot e mosveprimit mund të jenë më të larta se kostot e veprimit. Prandaj, sipas tij, teknologjitë e gjelbra duhen parë jo vetëm si barrë financiare, por edhe si mundësi ekonomike. Sektori i teknologjisë së gjelbër është edhe një shpresë – që nuk duhet lënë të ikë drejt Azisë.
Shumë analistë paralajmërojnë kundër fatalizmit dhe kujtojnë se Gjermania ka burimet, dijen dhe kapacitetin për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike. Në debatin publik gjerman ka qëndrime shumë të ndryshme. Disa kërkojnë largimin sa më të shpejtë nga nafta, gazi dhe qymyri. Të tjerë kundërshtojnë ritmin e transformimit klimatik ose e lidhin debatin me çështje të tjera politike.
Për disa prej tyre, valët e fundit të të nxehtit mund të ndryshojnë mënyrën se si zhvillohet debati për klimën në Gjermani. Nëse kjo do të sjellë apo jo ndryshime konkrete politike, mbetet për t’u parë. Por temperaturat rekord e bëjnë gjithnjë e më të vështirë injorimin e problemit.
