Donald Trump shpalli “armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm” mes Indisë dhe Pakistanit
Në një postim në platformën e tij Truth Social, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar për një “armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm” midis Indisë dhe Pakistanit, transmeton Portalb.mk.
“Pas një nate të gjatë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, jam i lumtur të njoftoj se India dhe Pakistani kanë rënë dakord për një ARMËPUSHIM TË PLOTË DHE TË MENJËHERSHËM. Urime për të dyja vendet që përdorën Arsyen dhe Inteligjencën e Madhe. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkroi Trump.
Ndërkaq, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se India dhe Pakistani kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm dhe për të filluar bisedime mbi një gamë të gjerë çështjesh në një vend neutral.
“Gjatë 48 orëve të fundit, Zëvendëspresidenti (JD) Vance dhe unë kemi zhvilluar bisedime me zyrtarë të lartë indianë dhe pakistanezë, përfshirë kryeministrat Narendra Modi dhe Shehbaz Sharif, Ministrin e Jashtëm Subrahmanyam Jaishankar, Shefin e Shtabit të Ushtrisë Asim Munir, si dhe Këshilltarët për Siguri Kombëtare Ajit Doval dhe Asim Malik. Jam i kënaqur të njoftoj se qeveritë e Indisë dhe Pakistanit kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm dhe për fillimin e bisedimeve mbi një sërë çështjesh të gjera në një vend neutral. I përgëzojmë kryeministrat Modi dhe Sharif për mençurinë, maturinë dhe lidershipin e tyre në zgjedhjen e rrugës së paqes”, ka shkruar Rubio.
Tensionet mes dy fuqive bërthamore janë rritur ndjeshëm që pas një sulmi më 22 prill në një zonë turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India.
Qeveria e Indisë fajësoi Pakistanin për mbështetjen e këtij sulmi, por Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.
India dhe Pakistani, të cilët fituan pavarësinë nga Britania në vitin 1947, kanë zhvilluar tri luftëra të plota në vitet 1948, 1965 dhe 1971, si dhe një konflikt të kufizuar në vitin 1999.
Çështja kryesore mbetet lugina e Kashmirit, të cilën India e konsideron pjesë të pandashme, ndërsa Pakistani e sheh si “çështje të papërfunduar të ndarjes” të nënkontinentit indian.
Kashmiri është i ndarë mes tri vendeve me armë bërthamore. India kontrollon rreth 45 për qind të tij, Pakistani rreth 35 për qind, dhe Kina – pas një lufte të shkurtër me Indinë në vitin 1962 – mban 20 për qind.