DO BËHEMI

Do bëhemi, po si s’do bëhemi
edhe ne do piqemi një ditë
kur t’na përshkojë flaka e Naimit
si Migjeni kur të kërkojmë dritë

Do bëhemi, të tjerët si u bënë
jemi më të lashtit n’këto troje
s’dua të di për katër sytë e fqinjit
lum për delet që pinë ujë në kroje

Do bëhemi se ashtu është shkruar
do t’arrijmë të tjerët me një hap
po sot na mundojnë do zgjebe t’vjetra
plus: shprehia e t’ecurit prapë

Do bëhemi, topi nuk e luan
se bota bosht tjetër dihet s’ka
për inat të tjetrit që ec tokës
ne do të notojmë nëpër hava

Do bëhemi, këtë le ta dinë
ata që nuk duan t’flenë si ne
sa të hyjmë në kor me delezezat
do t’a marrim himnit me bee-bee

Do bëhemi, çka se s’bëri dushku
dardhat që u desh t’i bëjë parvjet
më hip nervat Nëna kur mërzitet:
– Kur do bëhesh, biri im, medet!

Do bëhemi, kët e di dhe bota
dhe na e ka frikën, palca i dridhet
kur na sheh në BAR me gotat lartë
tek e hamë gjimadhen që përdridhet

Do bëhemi, le të lehë Sokrati
do t’vazhdojmë “sefanë” gjer në skaj
e n’na daltë sërish gjimadhja mashkull
rroftë përvoja e t’shkrehurit n’vaj

Do bëhemi, po si s’do bëhemi
edhe ne do piqemi një ditë
kur t’na përshkojë flaka e Naimit
si Migjeni kur të kërkojmë dritë

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.